E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orët e tmerrit në qytetin e Durrësit

Situata në Spitalin e Durrësit ka qenë vërtet e tensionuar nga mesdita e djeshme dhe orët në vazhdim. Përtej shkaqeve që çuan në një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare, të gjithë janë lutur për sa më pak viktima, ndërkohë që pasojat traumatike të asaj çka u përjetua nga banorët e fshatrave Gërdec, Maminas, Radë, Vorë etj. dhe udhëtarët e rastësishëm në superstradë, në pjesën afër vendit të shpërthimit, nuk do të shuhen lehtë. Shpërthimet janë ndjerë në formën e një tërmeti. Qyteti i Durrësit, ditën e djeshme, ka kaluar një situatë të rëndë dhe plot ankth. Të plagosur dhe njerëz të pushtuar nga paniku kanë mbërritur në mënyrë të vazhdueshme në dyert e urgjencës spitalore, ndërsa i gjithë ekipi mjekësor ka qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën e rënduar. Deri në orën 16:00 të ditës së djeshme, numri i personave të dëmtuar që janë asistuar në këtë spital, ka qenë 97. Dy gra, të cilat kanë mbërritur në Durrës, janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, pasi niveli i djegieve të tyre ka qenë tepër i lartë. Njëra prej tyre, Adelina Cami, është gjetur rastësisht tek ecte e djegur plotësisht në superstradë, në Marikaj, nga një familje që udhëtonte drejt Durrësit. "Ishin dy gra që lëviznin në mënyrë të çrregullt dhe të vetmuara në rrugë. U ndalëm tek e para për ta ndihmuar, ndërsa tjetrën e lamë atje. Nuk dinim se ç‘kishte. Duke mbërritur në Durrës na tha se quhej Adelina Cami dhe arriti të na japë numrin e telefonit të babait të saj për ta njoftuar. Na tha se e gjithë pjesa e tjetër e familjes ishte shuar",- tregon gruaja nga Durrësi, që i erdhi në ndihmë Adelinës, e cila mendohet të jetë nga Gërdeci. Ndërkohë, pasdite vonë në spital, kanë mbetur në sallën e reanimacionit vetëm dy persona, plagët e të cilëve janë të rënda. Petrit Behari dhe Sami Osmani janë të plagosurit që kanë mbetur në spital. Sipas mjekëve të Durrësit, Behari është goditur nga pjesë të një predhe që i kanë mbetur në trup, ndërsa Osmani është goditur rëndë në kokë dhe trup nga betonet e lokalit ku po punonte si kameraman dasme, në çastin kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm.

Të dëmtuarit nga shpërthimi kanë qenë banorë të fshatit Gërdec, banorë të Maminasit dhe udhëtarë që në ato çaste lëviznin me automjete të transportit privat në superstradën Tiranë-Durrës, kryesisht në këtë kah lëvizjeje. Mes të dëmtuarve ka qenë edhe një shtetas italian, pronar i një manifakture në zonë, por as ai nuk ka arritur të regjistrohet dhe është larguar pas mjekimit. Ndërkohë të shumtë kanë qenë familjarët që kërkonin njerëzit e tyre pa e ditur se ku gjendeshin. Mungesa e kontaktit me ta dhe prania në zonën e rrezes së shpërthimit i vinte nën presionin e humbjes dhe fatkeqësisë së panjohur. Britma, lot dhe fytyra që dëshmonin se kishin parë vdekjen me sy, edhe pse nuk kishin qenë në vijën e parë të shpërthimit. Të parët që kanë mbërritur në spitalin rajonal kanë qenë pasagjerët e autobusit të linjës Tiranë-Durrës me targa DR 2078 E, që në çastet e shpërthimit po kalonte në superstradë pranë Marikajt. I mbushur plot e përplot me pasagjerë, që ishin nisur për në Durrës pranë të afërmve, familjeve të tyre, apo dhe për të pushuar disa orë në bregdet, ata janë përfshirë nga një valë e nxehtë goditëse, që ka ardhur nga shpërthimi i municioneve. Asnjë prej pasagjerëve të autobusit nuk është regjistruar në regjistrin e urgjencës, pasi koha nuk premtonte. Mjeku i urgjencës, Gaz Demiri, thotë se kanë qenë afro 50 pasagjerët e autobusit që kanë marrë ndihmën e parë në spital. Atyre u është dhënë ndihma e shpejtë mjekësore dhe më pas janë lënë të lirë të shkojnë, duke liruar vendet për të plagosurit e tjerë, numri i të cilëve është shtuar në mënyrë progresive. Me automjete të vogla, autoambulanca dhe deri kamionçina të mbushura plot, të dëmtuarit kanë mbërritur në spital në një gjendje tejet të rëndë psikologjike, përveç plagëve të marra kryesisht nga thyerja e xhamave apo betonet e shkëputura nga ndërtesat në të cilat ishin kur ndodhi ngjarja. Të gjithë të plagosurit janë trajtuar kryesisht me solucione fiziologjike, ndërsa ata që kishin marrë goditje në kokë janë trajtuar me manitol, tip serumi i cili jepet për pacientët me trauma në kokë. Në spital, që në çastet e para, ka qenë i pranishëm zv/kryeministri, Gazmend Oketa, i cili ka ndjekur nga afër zhvillimet dhe ka kërkuar ndihmë nga spitalet e Kavajës dhe Lushnjës për të mbuluar nevojat për transport të të plagosurve nga zona e shpërthimit drejt Durrësit. Përveç autoambulancave të Durrësit, në gatishmëri janë vënë dhe ato të këtyre dy qyteteve. Rreth orës 14:00, në Spitalin e Durrësit ka mbërritur e mbushur plot me gra dhe fëmijë kamionçina me targa DR 3188 C, të gjithë banorë të Maminasit. Shoferi i kamionçinës tha për gazetën se në Maminas shpërthimi është ndjerë i fortë dhe me pasoja. Shtëpitë janë dëmtuar dhe njerëzit që kanë qenë në to gjithashtu janë plagosur nga suvatë e rëna dhe xhamat e shpërbërë nga shpërthimi i fortë. Sipas tij, Maminasi është braktisur plotësisht nga banorët, të cilët janë larguar në kërkim të shpëtimit të kokës dhe kjo gjendje mund të shfrytëzohet nga hajdutët. "Shtëpitë janë të boshatisura nga njerëzit dhe kryesisht të pambyllura", - thotë ai.

Ndërkohë, në orët e pasdites, fluksi i të plagosurve që kanë mbërritur në spital ka nisur të bjerë ndjeshëm, ndërsa stafi spitalor ka qenë në gatishmëri për të dhënë asistencën e duhur për të evakuarit në Kavaleshencën e Durrësit.

Paniku

Alarm i rremë

për evakuim

Durrësit

Në Durrës, rreth orës 16:30, një informacion i pasaktë, i dhënë nga "Vizion+", ka përhapur panik mes banorëve të qytetit bregdetar. Njoftimi se një pjesë e qytetit është urdhëruar të evakuohet, ka shkaktuar alarm në shumë prej qytetarëve durrsakë. Pas kontaktimit të zv/kryeministrit Gazmend Oketa nga gazeta, ai sqaroi se informacioni nuk është i vërtetë dhe se është urdhëruar evakuimi i disa fshatrave pranë vendit të shpërthimit, banorët e të cilave janë orientuar të strehohen në Durrës deri në një moment tjetër kur të ketë kaluar rreziku. Për këtë qëllim është vënë në dispozicion të tyre Kavaleshenca në plazh. Familjet e zhvendosura nga fshatrat përreth depove të armatimit janë strehuar në ish-kampin e Punëtorëve, te Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›