PS: Berisha të dëgjojë këshillat e Brukselit dhe të garantojë zgjedhje të lira
Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të Bashkimit Europian, në të cilat i kërkohej qeverisë shqiptare që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të arrijë rezultate të frytshme në luftën kundër korrupsionit. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se kryeministri Berisha po refuzon të dëgjojë këshillat që vijnë nga Brukseli, ku po tenton të aplikojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE përpara plotësimit të kushteve të vendosura. Dade tha se kryeministri Berisha duhet t’u garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe jo të zvarrisë procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti. “Sali Berisha gjithnjë ka refuzuar të dëgjojë këshillat e Brukselit. Komisioneri Rehn ka tërhequr vëmendjen dhe për plotësimin e kushteve të tjera para aplikimit për statusin e vendit kandidat, duke rekomanduar se do të ishte e mençur të aplikohej pasi Shqipëria të garantojë gjurmë provash të dukshme dhe të forta të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të garantojë se ka bërë reforma bindëse, që lidhen me integrimin. Gjithashtu, Komisioni Europian kërkon të shohë stabilitet politik të nevojshëm dhe pjekuri demokratike në mënyrë që Shqipëria të lëvizë drejt hapit tjetër. Paralajmërimi se këto detyra duhen marrë seriozisht në mënyrë që aplikimi të mos qëllojë mbrapsht, por të shtrojë rrugën për marrjen e statusit, duhet të ftohë pasionet dhe demagogjinë elektorale të Sali Berishës. Ai duhet t’u garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe jo zvarritje të procesit për pajisjen e votuesve me kartat e identitetit”, - tha Dade.
26 Mars 2009