E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza prek biznesin, Berisha akuzon pushtetin lokal për rritjen e taksave vendore

Bashkive dhe komunave u faturohet edhe mosmbledhja e taksave. Kryeministri premton ulje taksash për biznesin e vogël

Ervin KOÇI

Atë që qytetarët shqiptarë po e përjetojnë çdo ditë e më shumë përmes rritjes së çmimeve, shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe humbjes së vendeve të punës, e ka pranuar pjesërisht dje edhe shefi i qeverisë shqiptare. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha hodhi kritika të shumta ndaj pushtetit vendor që, siç tha, në kohë krize rriti taksat duke shtrenjtuar koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht atyre të vogla. Këtu Berisha vuri në dukje edhe faktin se nga ana e pushtetit qendror janë marrë masa konkrete për të përballuar krizën, duke kryer reforma që synojnë uljen e barrës fiskale për bizneset e ndryshme në vend. Në këtë mënyrë, kryeministri ua faturoi fajin e krizës së sektorit të biznesit të vogël pushtetit lokal dhe drejtuesve të tij. Ai tha se në shumë bashki dhe komuna janë rritur taksat në mënyrë abuzive, duke rënduar barrën e subjekteve që janë në fazën e mbijetesës. “Të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta, për punësimin dhe vjen në një kundërthënie të hapur me përpjekjet e qeverisë për të amortizuar pasojat e krizës, për të mos thënë se vjen në një kundërthënie të hapur me filozofinë tonë të taksave të ulëta”. Kryeministri paralajmëroi, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, se qeveria do të ndërhyjë në mbrojtje të biznesit të vogël, ndaj të cilëve disa nga njësitë e qeverive vendore kanë rritur taksat në mënyrë të ndjeshme.

Mosmbledhja e taksave

Kryeministri Berisha, në vijim të retorikës së tij lidhur me problemin e taksave vendore, ka akuzuar njësitë e pushtetit vendor për mosmbledhje në masën e duhur të taksave dhe tatimeve nga subjektet e biznesit. Sipas tij, janë këto probleme në mosgrumbullimin e sasive të duhura të kontributeve fiskale ato që çojnë bashki dhe komuna të caktuara që të rrisin arbitrarisht taksat me qëllim që të justifikojnë shumat. Kryeministri krahasoi këtu se “e gjithë bota, për stimuj fiskalë i ul taksat, dhe ne e kemi bërë më mirë se të gjithë këtë me taksat kombëtare. Por tani është shumë e papranueshme që qeveritë vendore të dalin dhe të rinisin taksat në këtë mënyrë. Kjo do të thotë të shkatërrohen progresivisht vende pune, do të thotë të frenosh investimet”. Duke iu referuar recesionit ekonomik, kryeministri theksoi: “Më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Europian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10 për qind. Të tilla janë vendet Baltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore për shkak të krizës së recesionit nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë”, - tha Berisha.

Ulja e taksave

Kryeministri Sali Berisha siguroi dje përfaqësuesit e biznesit të vogël se shumë shpejt qeveria do të ndërhyjë për uljen e taksave, një pjesë e të cilave, siç cilësoi ai, “janë rritur në mënyrë të ndjeshme nga pushteti vendor në kundërshtim të hapur me përpjekjet antikrizë të qeverisë dhe filozofinë tonë për taksa të ulëta”. Kryeministri u bëri thirrje qeverive vendore që ta rishikojnë këtë problematikë, por njëkohësisht i siguroi se do të ndërhyjë në favor të biznesit të vogël pasi është bërë e domosdoshme. “Marr sinjale të njëpasnjëshme se në disa bashki dhe komuna të vendit, ndërkohë që qeveria i ka ulur taksat deri në masën 50 për qind, autoritetet vendore kanë rritur në mënyrë të ndjeshme disa lloje taksash mbi biznesin”, - tha kryeministri Berisha. Më tej, kryeministri solli në vëmendje se edhe vitin e kaluar është ndërhyrë në mbrojtje të biznesit të vogël, pasi u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit, etj. Ndaj, duke iu drejtuar ministrit të Financave, kryeministri u shpreh se, “si sot dy javë, në mbledhjen e qeverisë do të përcaktojmë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave ndaj biznesit të vogël”. Drejtuar zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve, Berisha u shpreh se është detyrë e të gjithëve që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. “Është detyrë e të gjithë zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. Pra, rritja e taksave mbi biznesin e vogël është realisht e rrezikshme. Ata aq e kanë kapacitetin dhe nuk duhet t’i shtohen taksat në asnjë mënyrë”, - deklaroi Berisha. Ai shtoi: “Ne mund të shqyrtojmë me shumë seriozitet këtë politikë, por dëshiroj që qeveritarët vendore të ndërhyjnë edhe vetë, si vullnet i tyre antikrizë”.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›