E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostoja e lartë, ndryshojnë bilancet për ndërmarrjet me 10 punonjës



Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk do të zbatojnë pasqyrat standarde financiare. Ministria e Financave ka përgatitur projektin për një ndryshim në ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare. Ky ndryshim është bërë me qëllim që të lehtësohen këto ndërmarrje nga kostoja e përgatitjes së bilanceve, të cilat duhet të bëhen nga ekspertët dhe programet e specializuara. Në relacionin për ndryshimin e bilanceve të këtyre ndërmarrjeve theksohet se për këto shtesa dhe ndryshime të propozuara, nismëtar është Këshilli i Kombëtar i Kontabilitetit, i cili merret me hartimin dhe monitorimin e standardeve kombëtare të kontabilitetit. “Propozohet që mikrondërmarrjet të mbajnë kontabilitet dhe të hartojnë pasqyra financiare sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli”, - thuhet në relacion. Zbatimi i këtyre standardeve nga mikrondërmarrjet ka një kosto të lartë që duhet të përballohet nga këto njësi, të cilat, sipas ligjit, kanë më pak se 10 persona dhe kostoja ka një bilanc jo më shumë se 10 milionë lekë. “Këto kosto nuk e përligjin në asnjë rast përfitimin e ulët që kanë mikrondërmarrjet nga informacioni apo pasqyrat financiare të përftuara nga zbatimi i standardeve kombëtare të kontabilitetit”, - thekson relacioni. Ndryshimi vjen pesë muaj pas miratimit të ligjit për funksionimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që caktonte numrin e punonjësve dhe bilancet financiare. Ligji i ri solli një ndarje të re për këto lloj biznesesh. Emërtimi i ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe mikrondërmarrjeve, sipas ligjit të miratuar në tetor të vitit të kaluar, bëhet mbi bazën e numrit të të punësuarve dhe bilanceve financiare vjetore. Numri i të punësuarve korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›