Qeveria vendos 753 vende të reja pune me kontratë të përkohshme
Laureta Rryçi
Qeveria përcakton 753 vende të reja pune me kontratë të përkohshme. Vendimi më i fundit i qeverisë e ka rritur me 200 shifrën e vendeve bosh për këtë kategori kontratash për vitin 2010. Vetëm pak javë teksa kishte marrë një vendim për uljen e këtyre punësimeve, Këshilli i Ministrave vendosi dje të rikthente sërish të njëjtën shifër që ishte edhe në vitin 2009. Ky vendim përcakton numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë qeverisjes vendore. Sipas këtij vendimi, ky numër, për vitin 2010 ishte 576 punonjës dhe do të bëhet 753. Detajimi i kontratave është bërë në tabelën e mëposhtme, ku përcaktohet numri i punonjësve sipas sektorëve ku do të punësohen. Në tabelë janë përcaktuar edhe orët në javë ku do të jenë të angazhuar këta persona pranë administratës shtetërore. Për institucionet që janë përcaktuar në tabelë, shpenzimet për pagat e tyre do të mbulohen nga buxheti i shtetit për vitin 2010, ndërsa vetëm ALUIZNI do të mbulojë me fondet e tij këtë shtesë në organikë.
Vendimi
Ministritë që do të kenë shtesa në organikë falë këtij vendimi të qeverisë janë: Ministria e Transporteve, Ministra e Financave, kryesisht sektori i dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë dhe Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Vendimi i fundit i qeverisë ka përcaktuar plot 500 vende bosh që do të nisin shumë shpejt kandidimin të interesuarit për këtë lloj kontrate pune. Me anë të këtij vendimi është përcaktuar në mënyrë të detajuar se sa persona do të punojnë part time në institucionet shtetërore, sa orë do të punojnë dhe në cilat poste. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në administratën shtetërore do të punësohen me kohë të pjesshme 576 persona.
Pagat
Numrin më të madh të të punësuarve me kontratë të përkohshme do ta ketë ALUIZNI, institucioni që merret me legalizimin e ndërtimeve informale. Paratë për pagat e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore do të përballohen nga Ministria e Financave. Nga viti 2006, qeveria ka ndërmarrë një reformë për modernizimin e sistemit të pagave dhe standardizimin e kontratave të përkohshme e shpërblimeve sipas një procedure të re që përcaktohet në Vendimin Nr. 1703 të Këshillit të Ministrave, datë 24.12.2008 “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Sipas këtij vendimi, nuk është më kompetencë e ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore kontraktimi i punonjësve të përkohshëm, por do të jetë Këshilli i Ministrave që do të përcaktojë numrin e tyre, duke synuar uljen e numrit të punonjësve të kontraktuar në këtë kuadër, si dhe fondet publike që përdoren për këtë qëllim.
21 Prill 2010