Protesta, banorët kërkojnë zbardhjen e vrasjes së Xhindit
FIER - Banorë të Roskovecit në Fier zhvilluan ditën e djeshme një protestë më mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste në të cilën kërkuan zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi. Gjatë protestës kundër qeverisë drejtuesit lokalë të Partisë Socialiste u kanë kërkuar banorëve të zonës të marrin pjesë në protestën e 30 prillit në Tiranë. Në manifestimin e djeshëm ishin të pranishëm edhe të afërmit e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, të cilët i bënë apel qeverisë të zbardhë vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 2 majit 2010.
Pak ditë më parë, në Kongresin e Jashtëzakonshëm mbajtur në Tiranë, Partia Socialiste doli me një rezolutë në të cilën veç vazhdimësisë së protestave kundër qeverisë, kërkoi edhe zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit të saj në Roskovec. Fatmir Xhindi u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar më 2 maj 2010 në mbrëmje, ndërsa po hynte me makinë në oborrin e banesës së tij. Vrasësit nuk janë gjetur.
Pranga grabitësit të fabrikës së tullave
TEPELENË - Është futur në fabrikën e tullave në Memaliaj, ku ka vjedhur një sasi materialesh prej hekuri si 8 vagonë, boshte cilindrike dhe të tjera materiale prej hekuri. Por është kapur në flagrancë gjatë ditës së djeshme duke shitur materialet e vjedhura në një servis pikë grumbullimi hekurishtesh nga forcat e Policisë së Tepelenës, të cilat e kanë arrestuar menjëherë. Fjala është për 19-vjeçarin Xhulio Mota, lindur dhe banues në Memaliaj, vjedhja e të cilit është denoncuar në polici nga pronari i fabrikës së tullave të lartpërmendur. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar materialet e vjedhura ndërsa 19-vjeçari është arrestuar për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale të “vjedhjes”.
Bie nga pallati, vdes punëtori 55-vjeçar
TIRANË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, në tarracën e një pallati të ri në ndërtim. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, teksa një punëtor ka rënë nga tarraca e një pallati pranë Fakultetit Juridik. Viktima është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por me të mbërritur atje ka humbur jetën. Policia që mbërriti në vendngjarje sqaron se rënia e punëtorit mund të ketë qenë aksidentale, gjatë kohës që ai punonte. Policia nuk ka mundur ende ta identifikojë viktimën, por theksohet se ai është rreth të 55-ave dhe emrin e ka Mihal. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur detaje mbi ngjarjen, ndërkohë që janë marrë dëshmitë e punonjësve të tjerë të cilët ishin së bashku me viktimën.
21 Prill 2010