E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bora bllokon rrugët, izolon fshatrat

02/03/2005  Malësi e Madhe

SHKODËR - Reshjet e dëborës, që po bien në zonat e thella malore të rrethit të Malësisë së Madhe, kanë krijuar pengesa në qarkullimin e automjeteve, në disa rrugë që lidhin këtë rreth me zonat e thella malore. Burime nga nënprefektura e këtij Qarku bënë të ditur dje se, për shkak të reshjeve të dëborës, që po shoqërohen me temperatura të ulëta janë të pakalueshme rrugët Tamarë-Vermosh, Dedaj–Bogë-Razëm etj. Megjithë vështirësitë nga moti i ftohtë, punonjësit e ndërmarrjeve të rrugëve janë në gatishmëri dhe po punojnë për hapjen e rrugëve rurale. Ne rrugën Tamarë-Vermosh, 30 km të gjatë, ku trashësia e dëborës ka arritur mbi 50 cm, dy mjete të rënda të ushtrisë po punojnë për hapjen e saj. Ndërkohë bëhet e ditur se nga reshjet, janë akoma të izoluara edhe zonat e thella malore si Kelmend, Bogë, Razëm. Gjatë këtij viti, kjo është hera e dytë që këto zona izolohen nga reshjet e dëborës. Ndërkohë të njëjtat burime kanë bërë të ditur se duhet të merren masa urgjente në rast se situta do të vazhdojë të jetë e tillë për të furnizuar popullatën me ushqime dhe me medikamente. Janë rreth 2000 banorë, të cilët prej kohësh janë tashmë të izoluar dhe të cilëve iu janë dërguar dhe më parë nga strukturat shtetërore ndihma në ushqime dhe ilaçe për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga rënia e dëborës. Banorët e zonave të thella të rrethit të Malësisë së Madhe duket se deri më tani, fatmirësisht, kanë arritur që ta përballojnë izolimin e krijuar pa patur probleme të mëdha, që mund të kushtojnë jetë njerëzore. Dëbora e rënë gjatë ditëve të fundit ka arritur që të bllokojë dhe disa prej segmenteve rrugore, që ishin hapur nga fadromat e borëpastrueset të dërguara në zonat e thella të Malësisë së Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›