Italia sjell në pranga dy tutorë shqiptarë femrash
Ekstradimi
Gëzim Liçi dhe Edmond Beluli janë dënuar nga drejtësia shqiptare me nga 15 vjet burg
Dy shqiptarë, të kërkuar për trafik femrash në rrethana rënduese janë ekstraduar ditën e djeshme nga Italia, pasi drejtësia shqiptare i kishte dënuar me nga 15 vjet burg. Gential Liçi nga Lushnja dhe Edmond Beluli nga Elbasani i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila i ka dërguar në qeli për të vuajtur dënimin e marrë për veprat penale të kryera. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se Edmond Beluli, 32 vjeç është sjellë në Shqipëri i pari, ndërkohë që disa orë më vonë është sjellë edhe Liçi. Nga të dhënat mësohet se Beluli është dënuar nga Gjykata e Elbasanit më 21 shkurt të vitit 2002. Sipas të dhënave, ai kishte trafikuar një vajzë nga ky qytet gjatë viteve ’90, të cilët e ka shfrytëzuar për prostitucion. Madje, për ta bindur e ka dhunuar për një kohë të gjatë, derisa ajo ka shkuar në polici dhe e ka denoncuar, duke bërë të mundur edhe largimin nga rruga e prostitucionit. Ndërsa për Liçin, policia deklaroi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28 mars 2006, e ka dënuar me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”. Gentian Liçi, në muajin prill 2002, në bashkëpunim me Petrit Liçin, Gëzim Liçin, Hazir Zhyrën, Dilaver Muhjen dhe Kristaq Elezin, ka trafikuar për qëllime përfitimi shtetasen I. T. Duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të të dëmtuarës dhe familjarëve të saj, me anë të veprimeve mashtruese, personat e lartpërmendur, kanë arritur të bindin prindërit e saj, që kjo e fundit të martohej me Gentian Liçin, duke u shprehur se të dy do të shkonin në Itali për të punuar. Më datën 18 prill 2002, nëna e të dëmtuarës ka bërë kallëzim penal para organeve kompetente dhe mbi bazën e këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal përkatës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin e datës 28 mars të vitit 2006, e ka deklaruar fajtor këtë person. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol Romën, me datën 04 qershor 2009, u bë i mundur arrestimi i Liçit, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
#