E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga korrierit shqiptar, çonte thasë droge në Greqi

Arrestimi
Sekuestrohen 302 kg kanabis. Kapen dhe dy grekë

Pas vlerësimit të disa informacioneve që kanë mbërritur në Departamentin e Antidrogës në qytetin e Igumenicës, policia greke ka zbuluar në zonën “Gonia” të kësaj bashkie nëntë çanta udhëtimi të fshehura, të cilat përmbanin gjithsej 216 pako me hashash. Sasia e përgjithshme e tyre ishte 302 kilogramë. Forcat policore nuk e kanë konfiskuar lëndën narkotike, por kanë rrethuar zonën dhe kanë pritur të fshehur se kush do të merrte në dorëzim këtë sasi tepër të madhe droge, që duket se ka hyrë nga kufiri shqiptar. Një person i panjohur është afruar te vendi ku ishin fshehur thasët me hashash. Menjëherë, policia i ka bërë thirrje të dorëzohet, por ai ka hapur zjarr me kallashnikov dhe duke përfituar nga errësira është zhdukur në zonën malore. Disa kilometra larg vendngjarjes, policia ka arrestuar bashkëpunëtorin e tij, që priste atje me një makinë dhe që së bashku me dy persona të tjerë, do të çonin sasinë e drogës drejt Athinës. Të tre personat, një shtetas shqiptar dhe dy shtetasit grekë, janë arrestuar dhe janë çuar në Prokurorinë e Tesprotisë. Ndërsa është shpallur në kërkim personi që mundi t’i shpëtonte rrethimit policor dhe që sipas dëshmive të të arrestuarve, edhe ai është shtetas shqiptar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›