Skafet, sanksione për ata që thyejnë moratoriumin
Moratoriumi i ri i qeverisë për skafet, përveç shtyrjes së afatit të zbatimit të tij edhe tre vjet të tjera, përveç sekuestrimit të skafeve, vendos gjoba "të kripura" për personat apo subjektet që shkelin këtë ligj. Ka mbërritur në Kuvend drafti i miratuar me shpejtësi nga qeveria "për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë". Sipas një neni të këtij projektligji, kundravajtësit dënohen me gjobë në masën nga 800 mijë deri në 1 milion lekë të reja dhe me konfiskim të mjetit. Moratoriumi u jep një fuqi të konsiderueshme shefave të komisariateve, pasi sipas draftit, përkatësisht nenit 4 të tij, "Vendimi për masën administrative merret nga shefi i komisariatit të juridiksionit të konstatimit të shkeljes". Kundër këtij vendimi brenda 10 ditëve nga marrja në dijeni bëhet ankimim te drejtori i policisë së qarkut. Moratoriumi i ri përcakton pezullimin e të gjitha lëvizjeve të mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit, si dhe transportit të mjeteve lundruese në rrugë tokësore. Pezullimi përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore. Afati i zbatimit të këtij ligji është 3 vjet nga data e hyrjes në fuqi të tij. Nga ky moratorium përjashtohen mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portale. Moratoriumi i ri për skafet është kundërshtuar fuqishëm nga disa pjesë të shoqërisë, biznesi, por edhe nga opozita. Ndërkaq, Kryeministri Sali Berisha e ka mbrojtur fuqishëm këtë draft të ri, duke deklaruar se "këto mjete të vogla dhe të shpejta lundrimi nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin, por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve, ndaj dhe si një dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, për t‘i dhënë përgjigjen më të mirë, për të parandaluar krimin dhe mafien, ne zgjasim edhe tre vjet të tjera dhe vazhdimisht deri sa të jemi në pushtet këtë moratorium". Ndërkaq, Partia Socialiste i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të mos e dekretojë këtë ligj, përndryshe kanë deklaruar se do të ankimohen në Kushtetuese.
Y.Pata