Bora dhe shiu bllokojnë rrugët në dy rrethe
Berat
Reshjet e borës dhe shiut kanë shkaktuar bllokimin e rrugëve në zonat rurale të Beratit dhe Skraparit. Fshatrat Gjerbës, Konak, Novaj, në Rrethin e Skraparit, mësohet se janë gdhirë të bllokuara krejtësisht dje në mëngjes, si pasojë e reshjeve të mëdha të borës që kanë rënë gjatë natës. Trashësia e borës në rrugët e këtyre fshatrave ka shkuar në gjysmë metri, çka e bën të pamundur lëvizjen e banorëve drejt komunave apo fshatrave të tjerë. Burime nga institucioni i nënprefektit të Skraparit bëjnë me dije se gati të gjitha fshatrat e këtij rrethi janë bllokuar dhe izoluar nga bora, ndërkohë që më problematike paraqitet situata në komunat Gjerbës, Konak, Bogovë e Potom, ku banorët janë krejtësisht të izoluar në banesat e tyre, pasi bora ka mbuluar gjithçka. Problematike paraqitet situata dhe në shumë fshatra të Rrethit të Beratit, ku si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut ka pasur shkarje të dherave në rrugë, çka është bërë shkak për bllokimin e tyre. Më e vështirë paraqitet situata në fshatrat e Komunës Vërtop.
#