E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora rikthen izolimin në fshatrat e thellë

Dibër

Reshjet e borës gjatë natës së të premtes dhe dje kanë risjellë izolimin e shumë fshatrave dhe komunave të thella malore. Shkak i këtij izolimi është bërë bllokimi i rrugëve nga bora, trashësia e së cilës arriti në 30 deri në 40 centimetra në zona të thella malore. Përveç Komunës së Lurës, e cila vazhdon prej më se tre javësh të jetë e izoluar, me dhjetëra fshatra të thellë malorë, në rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat të këtij qarku, janë ribllokuar nga bora. Sipas Shtabit të Emergjencave në Dibër, konfirmohet se vetëm Komuna e Lurës vazhdon të jetë e izoluar nga dëbora, ndërsa rrugët për në qendrat e komunave të tjera, janë të kalueshme. Por edhe pse rrugët për në qendrat e këtyre komunave janë të kalueshme për automjetet, fshatra të veçantë në komunat Kala e Dodës, Sllovë, Selishtë, në Rrethin e Dibrës, Ostren, Trebisht, Zerqan, Martanesh, në Rrethin e Bulqizës dhe Macukull, Derjan, Xibër-Murrize etj., në Rrethin e Matit, ende vazhdojnë të jenë të pakalueshme qoftë edhe me përdorimin e zinxhirëve. Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër janë marrë masa për t’i mbajtur të kalueshëm nga automjetet akset rrugore nacionale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›