E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe shiu, përmbytje dhe bllokime rrugësh në të gjithë Shqipërinë

Përkeqësohen kushtet atmosferike. Rikthehen përmbytjet në Shkodër. Ja gjendja në Veri, në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug, dëme të mëdha

Reshjet e shiut dhe të dëborës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë shkaktuar përmbytje dhe bllokime të disa akseve rrugore në të gjithë vendin tonë. Burimet lokale raportojnë për rrëshqitje masive të dheut dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në aksin Fushë Arrëz - Kukës – Morinë. Me dhjetëra rrugë dhe shtëpi janë përmbytur në Tiranë dhe Elbasan. Në Korçë është ndërprerë linja e furnizimit me energji për shkak të erërave të forta. Reshjet e dy ditëve të fundit kanë rikthyer përmbytjet edhe në Ultësirën Shkodër-Lezhë. Burimet në policinë e kryeqytetit bënë të ditur mbrëmë se edhe aksi Elbasan-Tiranë është bllokuar për shkak të trashësisë së madhe të dëborës.
Rruga drejt Kosovës
Reshjet e mëdha të shiut, që kanë vazhduar prej 36 orësh pa ndërprerje, kanë krijuar një situatë të vështirë në akset nacionale në veri të vendit. "Ka bllokim të herëpashershëm të aksit kryesor rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, veçanërisht në zonën e Kalimashit, ku ka rënie të gurëve e dherave në trasenë e rrugës", - tha drejtori rajonal i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi. Sipas tij, në këtë situatë të vështirë thuajse janë të pakalueshme edhe akset rrugore Kukës - Krumë dhe Kukës – Shishtavec, ku në trasenë e rrugës ka rënie të qindra metër kub dheu e gurësh. "Këto dy akse rrugore aktualisht janë të kalueshme vetëm në një drejtim, ndërsa megjithë ndërhyrjen tonë rrëshqitjet e dherave janë duke u rritur e nuk përjashtohet mundësia e bllokimit të tyre", - thotë Gashi. Ndërkohë, situata është vështirësuar edhe në akset rrugore rurale, që lidhin komunat me qytetin e Kukësit. Kështu bëhet e ditur se aktualisht është i bllokuar nga rënia e dherave dhe gurëve aksi rrugor që lidh këtë qytet me Peshkopinë si dhe me komunat e Ujmishtit, Kalisit, Bushtricës e Grykë Cajës. Edhe në rrethin e Tropojës vazhdon po e njëjta situatë e rëndë. Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash e gurësh dhe bllokime të akseve kryesore rrugore. Vështirësi të mëdha janë krijuar edhe në lëvizjen e mjeteve në aksin rrugor Fierzë - Qafë Mali dhe Bajram Curri - Krumë, ku ka shembje të mëdha gurësh e dherash në trasenë e rrugës.
Rikthehen përmbytjet
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë rikthyer edhe një herë historinë e përmbytjeve për banorët e Ultësirës mes Shkodrës dhe Lezhës. Në fshatin Paqram, prurjet e mëdha të ujërave kanë bllokuar disa rrugë rurale, përfshirë edhe aksin që të çon në varrezat e zonës. Banorët e zonës kërkojnë menjëherë ndërhyrjen e shtetit. Ndërkohë, situata është më e rëndë në tre fshatrat e komunës së Hajmelit. Burimet zyrtare raportojnë se niveli i ujit ka arritur mbi 50 centimetra mbi nivelin e tokës. Sipas informacioneve, shtimi i reshjeve dhe përmbytjet rrezikojnë seriozisht pronat e mbi 35 mijë personave që banojnë në këtë zonë. Rrethet e Lezhës dhe të Shkodrës kanë përjetuar disa herë përmbytje për shkak të daljes nga shtretërit e lumenjve Drin dhe Buna. Pasojat e reshjeve
Për të paktën dy orë, disa rrugë të qytetit të Elbasanit kanë qenë dje nën “pushtetin” e ujërave, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, ndërkohë që stuhia e fortë rrëzoi dhe disa pemë shekullore në qendër të këtij qyteti. Burime nga policia lokale thanë se “si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm pesë mjete dolën nga rruga, por fatmirësisht u regjistruan vetëm dëme materiale”. Disa rrugë të qytetit, si bulevardi “Qemal Stafa”, rruga prapa institucionit të prefekturës, si dhe rrugët e lagjes “Hekurudha”, u përmbytën nga shirat e rrëmbyeshëm, ndërsa stuhia e fortë rrëzoi disa pemë shekullore në qendër të Elbasanit dhe në parkun ‘Rinia’. “Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan edhe rrëshqitje masive dherash dhe gurësh në vendin e quajtur ‘Kthesa e Murrashit’, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe në Qafë-Krrabë, në aksin Elbasan-Tiranë”, - tha drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve Ahmet Ashiku. Ndërsa në qarkun e Korçës era e fortë ka shkaktuar probleme në rrjetin elektrik dhe për pasojë dhe ndërprerjen e energjisë në disa komuna, madje dhe në qytetin e Korçës. Burime nga filiali i KESH-it në Korçë thanë se, “brigada e avarive punoi për riparimin e dëmit në komunat Pojan, Plasë, Neviçisht, etj, ku si pasojë e erës së fortë, që arriti shpejtësinë 54 km në orë, janë rrëzuar disa shtylla elektrike”. Të njëjtat burime thanë se si pasojë e erës së fortë mesditën e djeshme u dëmtuan dhe fibrat 21 dhe 22, që furnizojnë qytetin e Korçës. Në këto kushte, banorët e tri lagjeve u përballën me ndërprerje energjie për të paktën dy orë. Mbrëmë vonë kanë nisur reshje të dendura dëbore në juglindje dhe në Shqipërinë e Mesme. Burimet zyrtare në kryeqytet raportojnë për bllokimin e aksit që lidh kryeqytetin me Elbasanin. Pikërisht në Qafë Krrabë me qindra automjete ndaluan qarkullimin për shkak të trashësisë së madhe të dëborës. Po dje paradite deri në mesditë, disa rrugë të kryeqytetit janë mbuluar nga ujërat. Për pasojë, janë dëmtuar me dhjetëra shtëpi dhe biznese në rrugën “Komuna e Parisit”, në komunën e Farkës në periferi të kryeqytetit dhe në akse të tjera rrugore. Që prej ditës së diel në mbrëmje, në të gjithë vendin janë rikthyer temperaturat e ulëta dhe reshjet e mëdha të shiut dhe të dëborës. Këto janë paralajmëruar nga meteorologët, të cilët parashikojnë kohë të keqe deri në fund të javës.

REAGIMI
Ibro: “Të gjitha akset rrugore të kalueshme”

Segmentet kryesore rrugore në vend janë të kalueshme dhe nuk paraqesin vështirësi në qarkullimin e mjeteve, pavarësisht reshjeve të shiut që kanë përfshirë gati të gjithë territorin e vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Shtetit, Ajet Ibro, tha dje se të gjitha akset rrugore nacionale në vend janë të kalueshme dhe nuk paraqesin problem për qarkullimin e mjeteve. Sipas Ibros, të vetmet segmente problematike janë disa rrugë në zona rurale, ku reshjet e shiut janë shoqëruar me rënien e masave të inerteve e dherave, por edhe në to nuk ka patur bllokim të lëvizjes së mjeteve.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›