Bursat greke, afati për dorëzimin e kërkesave
Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Fesë e Republikës së Greqisë ka shpallur programin e saj të bursave për shtetasit e huaj të vendeve të Ballkanit, Europës Lindore, Azisë dhe Afrikës, për vitin akademik 2008-2009, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë e kësaj ministrie bënë të ditur se programi i bursave përfshinë dhjetë bursa për studime të gjuhës greke për një vit akademik, dhjetë bursa për studime pasuniversitare deri në tre vite akademikë (2008- 2011); pesë bursa për studime pasuniversitare për doktoraturë deri në tre vite akademike (2008-2011). Të gjithë aplikantët duhet të dërgojnë deri në datën 15 maj 2008, në Ambasadën Greke në Tiranë, Konsullatën Greke në Korçë dhe në Konsullatën Greke në Gjirokastër, dokumentet e nevojshme. Sipas MASH-it, kandidatët, të cilët janë të interesuar për bursat e mësipërme, duhet të jenë nën moshën 35 vjeç dhe të mos kenë përfituar bursë më përpara nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Fesë të Greqisë. Dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përkthyera në greqisht, në anglisht ose në frëngjisht dhe të noterizuara.
25 Mars 2008