E Diel, 1 Nëntor 2026

Preza: “Pacientët të kurohen klinikisht që të mos shpenzojnë për ekzaminime”



Mjekët pohojnë se shpeshherë pacientët janë të detyruar të kryejnë ekzaminime që kushtojnë shumë shtrenjtë vetëm se mjekët nuk i kurojnë mirë klinikisht. Shefi i Shërbimit të Radiologjisë, Krenar Preza, sqaron se shpeshherë mjekët i drejtojnë pacientët për të kryer një ekzaminim të shtrenjtë pa qenë nevoja. Me pak fjalë, mjekët drejtojnë një pacient për të bërë, për shembull, një skaner që kushton 250 mijë lekë pasi nuk e përcaktojnë direkt sëmundjen. Sipas mjekut Preza, kjo shkakton kosto të lartë financiare si për pacientin, ashtu edhe për buxhetin e përcaktuar për kujdesin dhe blerjen e pajisjeve për aparaturat. Për të shmangur këtë situatë që rëndom zbatohet në spitalet tona, mjeku Preza propozon hartimin e protokolleve. Sipas tij, duhet bërë një protokoll për ekzaminimin, i cili do të jetë një guidë që do t’u shërbejë mjekëve klinicistë dhe atyre të Radiologjisë për radhën e kryerjes së ekzaminimeve. Duke iu referuar guidës, pacientët dhe mjekët janë në dijeni të radhës së vizitave që duhet të kryejnë para se pacienti të bëjë një vizitë të shtrenjtë dhe ta ketë të vështirë ta përballojë financiarisht. Këto protokolle tashmë ekzistojnë, por mjekët nuk i kanë vënë në zbatim. Ata vazhdojnë të ndjekin linjën e tyre të veprimit, sipas së cilës pacienti shkon për t’u vizituar dhe ata për t’i rënë më shkurt e drejtojnë për të kryer ekzaminime të tjera veç këshillës së tyre. Njëkohësisht disa ekzaminime kanë edhe efekte anësore, për shkak të rrezatimeve që përmbajnë. Nëse kryerja e tyre bëhet e shpeshtë, atëherë rrezatimet shkaktojnë tek pacientët probleme të tjera shëndetësore dhe të rrezikshme për shëndetin. Preza tregon se ky është një ndër problemet më të diskutuara në mjekësinë botërore dhe që vazhdimisht është apeluar për të shmangur në maksimum ekspozimin e pacientëve ndaj rrezatimeve gjatë vizitave mjekësore. Sipas tij, rrezet Rontgen janë të dëmshme për shëndetin e pacientëve dhe ato duhet të kryhen vetëm në rastet e domosdoshme, pasi në të kundërt do të bëhen shkak për probleme më madhore shëndetësore. Rrezatimet shmangen nëpërmjet elementëve mbrojtës, siç është përparësja e plumbit që nuk lejon depërtimin e rrezeve në pjesët e tjera të trupit, përveç pjesës ku duhet të veprohet. Por në shumicën e klinikave këto masa mbrojtëse nuk vihen në përdorim nga mjekët.
Mjekët duhet të jenë të përgjegjshëm para se të drejtojnë pacientët për kryerjen e ekzaminimeve që kanë të bëjnë me rrezatimet.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›