E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali Ushtarak, 14 të shtruarit nga shpërthimi, jashtë rrezikut për jetën



Të shtruarit në Spitalin Ushtarak janë jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, sqaroi se 14 pacientët që aktualisht janë të shtruar në këtë spital nuk kanë probleme që rrezikojnë të çojnë në humbjen e jetës. Të gjithë pacientët që kishin probleme të mëdha shëndetësore u transportuan jashtë vendit për të marrë një kurim më të specializuar. Ndërkohë që në Reanimacionin e Djegie-Plastikës në QSUT, aktualisht janë pesë pacientë, të cilët janë ende në gjendje të rëndë. Tri ditë më parë, dy pacientë të këtij reanimacioni u transportuan për në Zvicër, pasi gjendja e tyre shëndetësore ishte përkeqësuar. Mjekët e Pavijonit të Djegie-Plastikës sqarojnë se situata e pacientëve të shtruar në këtë pavijon është nën kontroll të vazhdueshëm. Sipas tyre, djegiet që kanë marrë pacientët nga shpërthimi i fuqishëm i predhave që shpërthyen në Gërdec janë të thella dhe është e vështirë që ata të dalin shpejt nga spitali për në shtëpitë e tyre. Ata theksojnë se përveç kësaj, tepër e vështirë paraqitet gjendja e tyre psikologjike. Të gjithë pacientët janë të traumatizuar për shkak të humbjes së familjarëve dhe të pasurisë që kishin vënë gjatë gjithë jetës. Për ta po kujdesen psikologë dhe punonjës socialë, të vendosur në spitale dhe në të gjitha qendrat pritëse për të dëmtuarit nga shpërthimi i Gërdecit.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›