E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Dorëzimi i titujve të librave deri më 30 prill



Afati i fundit i pranimeve për titujt e librave që do të shqyrtohen për listën e këtij viti shkollor është data 30 prill 2008. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila ka sqaruar se në këtë listë janë të mirëpritura studimet në lëmin e gjuhësisë. Bordi i Rekomandimit të Literaturës Artistike, Studimore dhe Publicistike në Ndihmë të Procesit Mësimor të Gjuhës dhe Letërsisë në Arsimin Parauniversitar (BORELASP), po merr në shqyrtim kërkesat e botuesve, të cilët ofrojnë literaturë në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar. Ndërkohë, në përputhje me kriteret e pranimit dhe të përzgjedhjes së literaturës artistike, studimore dhe publicistike, BORELASP pranon për shqyrtim botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese. Çdo botim që do të paraqitet në Bord duhet të jetë në 3 (tre) kopje dhe të shoqërohet me shkresën përcjellëse ku të jepen kriteret, në bazë të të cilave shtëpitë dhe entet botuese kanë bërë përzgjedhjen. Bordi nuk merr në shqyrtim botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit dhe që rezultojnë me probleme redaktoriale apo drejtshkrimore. Gjithashtu, Bordi mirëpret sugjerime, mendime dhe propozime konkrete për përmirësimin dhe mbarëvajtjen e punës së tij nga mësues, specialistë, botues, autorë dhe persona të tjerë të interesuar. Misioni kryesor i BORELASP është t’i ofrojë shkollës shqiptare vlerat e larta letrare, studimore e publicistike, që çmohen si pjesë e vyer e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe botërore, në përshtatje me moshën, programet e kërkesat shkollore. Për këtë qëllim, Bordi synon të krijojë një sistem filtrimi dhe përzgjedhjeje të literaturës plotësuese për shkollat tona.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›