Taçi nga i akuzuar, në akuzator
Biznesmeni Rezart Taçi, nëpërmjet dy avokatëve Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, ka depozituar dje pasdite një kallëzim penal ndaj gazetarit Mero Baze, nën akuzën e fyerjes dhe goditjes. Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, orar në të cilin regjistrohen kallëzimet, dy avokatët janë ngjitur në katin e tretë të Prokurorisë së Tiranës, në zyrën e regjistrave penalë. Përballë punonjëses së regjistrit, kanë depozituar kallëzimin ndaj botuesit të gazetës "Tema". Në dalje të prokurorisë, avokati Maks Haxhia, që mbron interesat ligjorë të biznesmenit Rezart Taçi dhe të dy badigradëve të tij, tha se ka depozituar kallëzimin për gazetarin Baze. Si provë që faktojnë se Baze ka fyer dhe goditur biznesmenin, avokatët kanë paraqitur deklaratat e personave që gjendeshin në lokalin ku ndodhi sherri. "Personat që ndodheshin në lokal kanë dëshmuar se gazetari Baze ka fyer dhe goditur ndaj biznesmenit Rezart Taçi", deklaroi Haxhia. Sipas tij, deklarimet i janë servirur prokurorisë, ndërsa vendimin e Gjykatës së Tiranës për masën "burg pa afat" për Taçin e ka ankimuar. "Sipas procedurave, tri ditë pas vendimit të masës së sigurisë në mungesë, gjykata verifikon masën e sigurisë për të akuzuarin", thanë burimet nga prokuroria, të cilat shtojnë se të gjitha pretendimet e Taçit dhe të mbrojtësve të tij ligjorë do të verifikohen. Nga të dhënat mësohet se mbrojtësit ligjorë të Taçit do të kërkojnë masën detyrim paraqitjeje dhe një garanci pasurore në këmbim të lirisë.
S.Ç.
S.Ç.