Dhoma e Tregtisë: Burgosja e Taçit, goditje biznesit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, pasi ka ndjekur gjithë këto ditë situatën pas incidentit të ndodhur në një nga lokalet e kryeqytetit mes sipërmarrësit Rezart Taçi dhe botuesit Mero Baze, ka reaguar dje me shqetësim rreth vendimit të gjykatës. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë deklaron se është në mënyrë të padiskutueshme kundër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj çdo qytetari në çfarëdo rrethane, e aq më tepër kur bëhet fjalë për median e lirë. "Por nga ana tjetër nuk mund të jemi indiferentë ndaj faktit se njëri prej sipërmarrësve të njohur të vendit sot është në qeli, pa menduar pasojat ekonomike që mund të sjellë kjo situatë", tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka. Sipas tij, biznesi ka rol vendimtar dhe të padiskutueshëm në zhvillimin dhe integrimin e shoqërisë shqiptare. "Ndaj nuk është rastësi, se ashtu siç flitet për liri të mediave kërkohet dhe klimë e përshtatshme për biznesin", tha Jaka.