E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora e pazakonte shton rrezikun ne rruget e vendit

Akset më problematike nga Veriu në Jug. Zinxhirët me vete!

Qindra aksidente “të vogla”, pa pasoja në shëndetin e njerëzve, janë shënuar dje në të gjithë territorin e vendit, për shkak të dëborës dhe ngricave që pushtuan çdo pëllëmbë të territorit.

Ndërsa në zonat e ulëta, “emergjenca” e dëborës përfundoi shpejt, rrugët e zonave malore në Jug e në Veri mbeten problematike dhe shoferët duhet të jenë të përgatitur dhe të pajisur me zinxhirë për të përfunduar me sukses udhëtimet e planifikuara.

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit raportoi dje për situatën e rrugëve pas reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave në të gjithë vendin.

Veriu

Raportohet se në rrethin e Pukës ka probleme në akset Qafë-Qelë – Pukë, Fushë-Arës – Qafë-Mali– Qafë-Shllak, Qafë-Mali –Fierzë, Kryqëzim Hadroj – Qafë-Benë, ku kalimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Në territorin e Qarkut të Kukësit kalohen me vështirësi dhe me zinxhirë rrugët Kukës – Krumë, Kukës – Topojan - Shishtavec dhe Kukës – Qafë-Shllak. Ndërkohë, vështirësi ka edhe në aksin Kukës – Thirrë të autostradës së re, ku kalohet pa zinxhirë, por duhet bërë kujdes, për shkak të borës dhe akullit në rrugë. Në aksin Bajram Curri – Kam kalohet vetëm me zinxhirë, ndërsa aksi Kukës – Draj Reç është bllokuar, për shkak të rrëshqitjes së rrugës dhe dëborës. Nga Bajram Curri në Fierzë, në një pjesë të rrugës qarkullimi bëhet me një kalim.

Probleme ka edhe në rrugën Milot – Peshkopi, ku në një segment kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Rruga nga Ura e Çerenecit në Steblevë është e kalueshme me vështirësi edhe me zinxhirë, ndërsa segmenti rrugor Qafë-Dragalica - Steblevë është i bllokuar për shkak të dëborës. Me zinxhirë kalohet edhe në akset Qafë-Bualli – Krastë dhe Peshkopi - Muhur – Qafë-Draj.

Zinxhirët janë të domosdoshëm edhe në aksin Rëshen – Qafë-Benë, ndërsa në superstradën Rrëshen – Milot ka prezencë akulli dhe duhet të bëhet kujdes.

Shqipëria e Mesme

Bora dhe ngricat kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve edhe pranë Tiranës. Rruga për në Dajt është e kalueshme, por në Qafë-Mollë duhen përdorur zinxhirë. Edhe në kilometrin 29 të rrugës Tiranë - Elbasan qarkullimi është i vështirë, por sipas autoriteteve zinxhirët nuk nevojiten. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve bëhet thirrje për lëvizje të kujdesshme edhe në rrugët që lidhin Tiranën me Durrësin, si në autostradë, ashtu edhe në rrugën e vjetër, pasi mund të haset prezencë dëbore dhe ngricash.

Në Qarkun e Elbasanit raportohen probleme në rrugët Librazhd – Steblevë dhe Elbasan – Qafë-Thanë, ku qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Jugu

Në Qafën e Llogorasë dhe në aksin Sarandë – Qafë-Muzinë situata është përmirësuar dje dhe rruga është e hapur për mjetet pa zinxhirë. Megjithatë shoferët duhet të bëjnë kujdes.
Situata paraqitet problematike edhe në Qarkun e Beratit, ku autoritetet raportojnë për lëvizje me zinxhirë në akset Berat – Gllavë dhe Berat – Çorovodë, ndërkohë që një numër rrugësh rurale raportohen krejtësisht të bllokuara nga rrëshqitja e dherave dhe nga dëbora.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›