Shkollat e Tiranes nxenesit ngrohen me rotacion neper klasa
Shkollat e kryeqytetit nuk kanë zhvilluar orë të shkurtuara për të reduktuar orët e ftohta në këto ditë dimri. Zgjidhjet alternative që janë gjetur nga institucionet e arsimit parashkollor kanë qenë me kontribut vullnetar. Konkretisht, ashtu si çdo vit tjetër, edhe për vitin shkollor 2010-2011 është gjetur si zgjidhje mbledhja e parave, me një kuotë të caktuar për të blerë furnela dhe ngrohëse elektrike për t’i vendosur në klasa.
Pavarësisht kësaj, klasat e mëdha dhe mosha e vogël e nxënësve ka bërë që herë pas here të ketë diskutime se kush do të qëndrojë pranë ngrohësit. Ndërkohë që sipas Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë së Tiranës, një pjesë e shkollave që janë rikonstruktuar, tashmë e kanë zgjidhur çështjen e ngrohjes, kjo me vendosjen e sistemit të kaldajës. Por edhe në këto shkolla ngrohja nuk lëshohet nga ora e parë në orën e fundit. Kaldaja punon me orare të reduktuara, duke parë nevojën.
Sakaq, me përgjegjësi si nga Bashkia e Tiranës ashtu edhe nga Drejtoria e Higjienës Tiranë konfirmohet se për dy vitet e fundit janë hequr nga qarkullimi në kopshte sobat e gazit, të cilat, sipas studimeve, ndikonin në shëndetin e fëmijëve.
Por edhe në disa prej kopshteve ka pasur probleme me vendosjen në punë të sistemit të ngrohjes. Në këto ditë të ftohta dimri, në zonat rurale apo në shkollat me probleme të thella në infrastrukturë, mësimi është zhvilluar me bashkime klasash.
Sakaq, spitali ka ndezur kaldajën një muaj më parë, sistem ky që punon me orare të përcaktuara.