E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga ne kufi te kerkuarit nga Interpoli belg

Has

Një 41-vjeçar nga Gjilani i Kosovës është ndaluar dje në Pikën Kalimit Kufitar të Qafës së Prushit në Has, pasi gjatë kontrollit të dokumenteve në sistemin TIMS ka rezultuar i kërkuar nga Interpoli. Faik Osmani, i vitlindjes 1969, është ndaluar duke hyrë në territorin e Shqipërisë gjatë natës në Qafë të Prushit, ku siç ka pohuar pas ndalimit, i kërkuari kishte menduar se nuk do të kishte verifikim elektronik të dokumenteve. Mirëpo gjatë skanimit të pasaportës, një veprim rutinë që bëhet në kufi, Osmani ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me akuzën për trafikim të lëndëve narkotike. Burime të njëjta saktësuan se 41-vjeçari kërkohej nga Interpoli i Brukselit, madje një gjykatë e Belgjikës e kishte shqiptuar për të një dënim penal për trafikim të lëndëve narkotike. Në kufirin Shqipëri-Kosovë gjatë këtij viti janë ndaluar rreth 70 persona në kërkim, kryesisht kosovarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar apo të dënuar nga drejtësia e vendeve perëndimore, ku më së shumti mbizotëron akuza për trafik mjetesh motorike, trafik lëndësh narkotike dhe trafik i qenieve njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›