Bora, nisin problemet në Veri në vendit
Reshjet e dëborës, që kanë përfshirë gati gjithë Veriun e vendit, kanë sjellë probleme në disa akse rrugore. Kështu rruga Kukës-Topojan-Shishtavec, ndonëse ka funksionuar pa ndërprerje, në pika të veçanta nuk mund të kalohej pa zinxhirë. Ndërsa rruga nacionale Kukës-Tiranë ka pasur probleme të theksuara në Qafëshllak dhe Kalimash. Disa mjete të Drejtorisë së Rrugëve kanë shkuar në këtë aks dhe kanë hedhur skorie dhe kripë, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve. Nga ana tjetër, rrugët rurale të Komunave të Kukësit momentalisht janë pjesërisht të kalueshme. Raportohen vështirësi në rrugët që lidhin qendrat e Komunave Bushtricë, Grykë Çajë, Kalis, Arrën dhe Zapod. Autoritetet vendore kanë këshilluar drejtuesit e makinave që në akse të tilla rrugore, si dhe në aksin kombëtar në drejtim të Qafës së Malit, të lëvizet me zinxhirë, për të parandaluar aksidentet e makinave. Ndërkohë në Qarkun e Dibrës trashësia e dëborës ka variuar nga 5 centimetra në zonat urbane deri në 15-20 centimetra në zonat e thella malore. Burime nga Këshilli i Qarkut Dibër bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për situatë alarmante, përveçse disa vështirësive të krijuara në lëvizjen e automjeteve në akse të caktuara rrugore. Sipas këtyre burimeve, zonat më të prekura nga reshjet e borës, ku dhe janë shkaktuar probleme në lëvizjen e automjeteve janë komunat: Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Selishtë, Klenjë, Martanesh, Xibër-Murrizë, etj. Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër ka treguar sensibilitetin e duhur për situatën e krijuar nga rënia e dëborës, në të gjitha rrugët nacionale, kur që dje në orët e para të mëngjesit ka nisur shpërndarjen e skorieve dhe kripës në segmentet rrugore më të rrezikuara për lëvizjen e automjeteve. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Durim Balla, u shpreh për "Shqip" se të gjitha akset rrugore nacionale aktualisht janë të kalueshme, pasi në segmente të caktuara problematikë është hedhur skorie dhe kripë, nga punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Kështu edhe rrugët: Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Klenjë kanë qenë të kalueshme dje gjatë gjithë ditës, ku ka qëndruar në dispozicion një makinë borëpastruese. Ndërkohë burime nga policia lokale thonë se dje, policia rrugore ka nisur kontrollet e saj, për pajisjen e automjeteve me zinxhirë, pasi ata mund të nevojiten të përdoren në segmente të caktuara, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje për shkak të uljes së temperaturave dhe ngricave.
Su.Di./Hy.Li.
Su.Di./Hy.Li.