Grabitet në banesë 70-vjeçari i vetmuar
Sulmohet në banesë një 70-vjeçar i vetmuar nga fshatrat e Devollit. Një i ri i armatosur me kallashnikov dhe i maskuar ka sulmuar dje, në orët e para të ditës, 70-vjeçarin Shefki Cuka. I moshuari, ish-punonjës policie, është plagosur rëndë në shtëpinë e tij, ndërkohë që autori është kapur nga policia pak orë pas ngjarjes. Burime nga Policia e Devollit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në banesën e Cukës, në fshatin Menkulas, të zonës së Devollit. Ndërkohë që autor i grabitjes me armë është Eduart Sino, 25 vjeç nga fshati Miras. I riu ka qenë në dijeni se i moshuari jetonte i vetëm, ndërsa fëmijët i kishte në emigracion. Ai ka shkuar natën në shtëpinë e 70-vjeçarit, i armatosur me kallashnikov me dy krehër me fishekë dhe e ka terrorizuar me armë derisa e ka lënë të plagosur, duke e goditur me mjete të forta në kokë për t‘i vjedhur paratë që i kishin dërguar nga emigracioni dhe moshuari i kishte hequr mënjanë. Mësohet se i riu ka mundur të grabisë me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve 200 mijë lekë, ndërkohë që ka lënë të plagosur 70-vjeçarin që jetonte i vetëm. Burime të policisë sqarojnë më tej se janë sinjalizuar për ngjarjen dje, rreth orës 03:00 nga i moshuari. Ai ka rrëfyer për blutë se është sulmuar nga një person me armë kallashnikov dhe me maskë. Autori fillimisht ka qëlluar për të trembur të moshuarin, por ndërkohë është përleshur me të duke e kërcënuar me armë. Burimet e policisë sqarojnë më tej se Shefki Cuka është goditur në pjesën e kokës nga një dorezë metalike. Pasi e ka rrëzuar të plagosurin, 25-vjeçari ka kërkuar paratë në banesë dhe më pas i ka grabitur një shumë prej 200 mijë lekësh që i ka gjetur nëpër shtëpi, ku i moshuari i mbante të fshehura. Pas kësaj, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që i moshuari ka sinjalizuar policinë lokale për këtë grabitje me dhunë. Pak orë më pas, policia ka identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje. Ai është arrestuar në banesën e tij në fshatin Miras, ndërsa në cilësinë e provës iu gjetën dhe sekuestruan arma kallashnikov, dy krehër me 37 fishekë dhe doreza metalike me të cilën ka goditur 70-vjeçarin. I plagosuri ndodhet nën trajtim mjekësor në spital, ndërkohë që ndaj 25-vjeçarit është ngritur akuza e grabitjes me dhunë.