E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dajti 2", informacionet për gjobëvënien nga policia

Policia e Shtetit dhe disa persona që ndodhen nën arrest kanë treguar aktivitetin e paligjshëm të Dritan Dajtit gjatë kohës që ka qenë në arrati. Me informacione operative dhe me dëshmitë përkatëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori dijeni se Dajti, krahas vrasjes së pesëfishtë mesditën e 7 gushtit në Durrës, dyshohej se ishte kreu i një grupi kriminal që merrej kryesisht në fushën e "gjobëvënies". Fillimisht, informacionet u analizuan nga grupi hetimor, por asnjë prej biznesmenëve që dyshohet se kishin marrë një gjobë të majme nuk i ka denoncuar rastet, duke bërë që informacionet të jenë ende operative. Më pas, hetuesit e çështjes morën deklarimet e disa personave që ndodhen në burg, të dënuar për vepra penale të tjera, por gjatë kohës që kishin qenë në liri kishin takuar disa herë Dajtin, në mes të Tiranës, duke marrë "frytet" e gjobëvënieve. Ata kanë treguar edhe emra biznesmenësh. Por, nga verifikimet në terren hetuesit nuk kanë mundur ta faktojnë këtë akuzë dhe e kanë ndarë çështjen për hetime të mëtejshme. Dosja është quajtur "Dajti 2" dhe bën fjalë për aktivitetin kriminal të autorit të vrasjes së pesëfishtë gjatë kohës që ndodhej në arrati. Policia, por edhe prokuroria, kanë pasur dyshime se ai mund të merrej me trafiqe të ndryshme dhe gjobëvënie ndaj bizneseve të rëndësishme. Faktet kanë dalë në dritë gjatë hetimeve, të cilat janë bërë nga policia për ngjarje të ndryshme gjatë gjashtë viteve në arrati të Dritan Dajtit. Para arrestimit që u kthye më pas në një tragjedi, policia kishte nisur një hetim të gjerë për këtë person, por pa mundur të bjerë në gjurmët e tij. Gjatë hetimit ka rezultuar se ai kishte krijuar një grup kriminal dhe bashkë me të kryente disa lloj veprimtarish të jashtëligjshme të përmasave të krimit të organizuar. Në një raport të policisë deklarohet se ai ka organizuar trafiqe të paligjshme me Greqinë dhe Italinë. Një tjetër dyshim i policisë është se ai është marrë edhe me gjobëvënie ndaj bizneseve të ndryshme. Sipas policisë, ka informacione se grupi i tij kriminal vinte gjoba ndaj bizneseve, sidomos në autostradën Tiranë-Durrës. Megjithatë, gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë denoncim zyrtar, veç informacioneve operative që kishte marrë policia.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›