E Diel, 1 Nëntor 2026

U vonoi borxhin një mijë euro, e rrëmbejnë dhe i presin gishtat

Pasi e kishin paralajmëruar shumë herë që të kthente borxhin, e rrëmbejnë në mes të Tiranës dhe e torturojnë në mënyrën më horror që mund të pjellë fantazia. Protagonist i ngjarjes së rëndë është një polic dhe katër shokë të tij, kurse viktima një 41-vjeçar nga Tirana. Borxhi i pakthyer prej 1 mijë eurosh, përveç torturave nga më të rëndat në trup, i ka kushtuar edhe prerjen disa gishtërinjve në duar. Ngjarja makabre ka ndodhur në Tiranë mbrëmjen e dy ditëve më parë, ndërkohë që vetëm dje policia ka mundur të vërë në pranga autorët e rrëmbimit dhe torturimit, mes të cilëve ishte edhe një koleg i tyre. Krimi ka ndodhur në zonën e Tiranës së Re, në një prej lokaleve afër Fakultetit të Juridikut. 41-vjeçari me inicialet E. E., i kishte marrë borxh paratë disa kohë më parë, por nuk kishte mundur t‘i kthente në kohën që kishte premtuar. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që pesë të rinjtë vendosën ta merrnin peng dhe më pas, duke e kërcënuar i kanë prerë dhe dy gishta. E gjitha kjo ka ndodhur gjatë natës së dy ditëve më parë, në lokalin "Poko Loko", në Tiranë, i cili sipas policisë është në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

"24 orë"
Pasi është lënë i lirë pas premtimit se do të kthente paratë brenda 24 orëve, pengu, emri i të cilit nga policia jepet vetëm me inicialet E.E, ka shkuar në spital dhe është mjekuar. E në këtë kohë ai ka bërë dhe denoncimin në polici. Menjëherë agjentët e sektorit për krimet kundër jetës kanë marrë informacionet dhe dëshmitë e duhura ndërsa dje, arritën të vënë në pranga përgjegjësit për këtë ngjarje të paprecedentë. Në një konferencë zyrtare dhënë dje, zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, deklaroi se, gjatë operacionit policor të koduar "24 orë", i realizuar nga specialistë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kanë bërë arrestimin në flagrancë të katër personave dhe një polici, të Patrullës së Përgjithshme. Burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se, të arrestuarit janë Aleksandër Buli, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë, Ilir Preng Trini, 35 vjeç, lindur në Laç e banues në Tiranë, i paproceduar më parë, Joan Jorgji Buli, 26 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë, me detyrë punonjës i policisë së Patrullës së Përgjithshme, Andi Haxhi Bulku, 25 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë dhe Drini Astrit Lato, 26 vjeç, lindur në Sarandë e banues në Tiranë.

Policia
Burime zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit bënë të ditur se, pesë të arrestuarit, në bashkëpunim, i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme, 41-vjeçarit E. E., me banim në Tiranë. Po sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në ambientet e brendshme të lokalit "Poko Loko", në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku e kanë rrëmbyer, torturuar dhe më pas prerë gishtat e dorës, si dhe e kanë e goditur atë në pjesë të ndryshme të trupit, me motivacionin për një borxh të pashlyer nga i dëmtuari. Burime nga policia thanë se, personat e dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë janë kapur falë informacioneve të poseduara për ta dhe në sajë të realizimit të metodave speciale të hetimit, veçanërisht përgjimeve. Mësohet se gjatë punës për hetimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, nga oficerët e policisë, janë bërë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale në ngarkim të tyre, ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe një armë zjarri e Joan Bulit, efektiv i policisë. Pas arrestimit të tyre, dosja me materialet e përpiluara në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për konsumim të veprave penale të "heqjes së paligjshme të lirisë", "torturës" të kryera në bashkëpunim. Pritet që sot, ndaj tyre të jepet masa e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Re. Kro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›