E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchard: Kushtet që duhen plotësuar për të hyrë në BE

Në prill të 2009-ës, Shqipëria do të jetë partnere e NATO-s në rast se ajo do t‘i përmbahet deri në fund vullnetit për të bashkëpunuar me opozitën për reformat. "Afrimi me BE-në kërkon punë. Çelësi i anëtarësimit është vazhdimi konsekuent i reformave", u shpreh ambasadori gjerman Bernd Borchard. Në fjalën e tij, ambasadori gjerman në Tiranë u shpreh se projekti i stacionit të pompimit të qytetit të Pogradecit është pjesë e programit për mbrojtjen e mjedisit të liqenit të Ohrit, për realizimin e të cilit bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare Gjermania dhe Zvicra. Ambasadori Borchard u shpreh se përurimi në Pogradec është tregues se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit të ngushtë gjermano-shqiptar për zhvillim. "Që nga viti 1988, në kuadër të Bashkëpunimit Politik për Zhvillim, Gjermania i ka dhënë Shqipërisë 700 milionë euro. Këtë javë, patëm kënaqësinë që kjo shumë u rrit me 90 milionë euro të tjera. Kjo tregon rëndësinë që ne i japim Shqipërisë si pol stabiliteti, e cila pasqyrohet edhe në shkëmbimet politike. Të mërkurën, Kryeministri Berisha u takua me kancelaren Merkel dhe ministrin e Jashtëm Shtajnmajer. Javën e ardhshme, personalitete të larta nga Gjermania do të vizitojnë Shqipërinë", u shpreh Borchard. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë vlerësoi se Gjermania është një partner i besuar i Shqipërisë. "Në prill të vitit të ardhshëm, ne do t‘ju kemi partnerë në NATO. Bashkëpunimi i shumanshëm me vendin tuaj mbështetet gjithashtu në përpjekjet për integrimin në BE. Afrimi me BE-në kërkon punë. Çelësi i anëtarësimit është vazhdimi konsekuent i reformave", theksoi ambasadori Borchard. Gjermania, vijoi më tej ai, do të vazhdojë të mbështesë me kënaqësi Shqipërinë. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e stacionit të pompimit për sistemin e ri të përpunimit të ujërave të zeza në Pogradec, pjesë e programit të përbashkët Shqipëri-Gjermani-Zvicër për ruajtjen e liqenit të Ohrit. Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë, Bernd Borchard. Duke iu referuar takimit me kancelaren Merkel, Kryeministri Berisha veçoi si më të rëndësishëm vlerësimin që kancelarja e Gjermanisë bëri për reformat e jashtëzakonshme në Shqipëri. "Ishte angazhimi i kancelares Merkel dhe qeverisë që ajo kryeson për të na ndihmuar edhe më shumë në rrugën e reformave. Ishte kërkesa e saj që ne të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e reformave, në konsolidimin e standarde të demokracisë në vendin tonë dhe të standardeve të ekonomisë së lirë të tregut", tha ai. Gjatë turit në Pogradec, Kryeministri mori pjesë edhe në një sërë ceremonish, ku në njërën prej tyre ishte dhe drejtoresha e Misionit të USAID-it në Tiranë, Roberta Mahoney, e cila garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë. "Në përvojën time, unë jam mbështetëse e vendeve me ekonomi në rritje dhe kjo është shumë e vërtetë për Shqipërinë, e cila ka një mbështetje të madhe tek agrobiznesi. Ndaj, Shtetet e Bashkuara kanë financuar për rritjen e konkurrencës së fermerëve nëpërmjet projektit AAC me vlerë 10 milionë dollarë për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave gjatë pesë viteve në vazhdim për fermerët shqiptarë", u shpreh Mahoney.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›