Milo bën thirrje, PS e LSI të ulin tensionet
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, u ka bërë thirrje dje dy aleatëve të tij, PS-së dhe LSI-së që të lënë mënjanë debatet e brendshme dhe të bashkëpunojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deklarata është bërë dje nga kryetari i PDS-së, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Duke pranuar faktin se në zgjedhje këto dy koalicione mund të shkojnë edhe të ndara, Milo e cilëson si të domosdoshme që të lihen mënjanë akuzat dhe përplasjet brenda llojit. "Ne mund të shkojmë edhe në zgjedhje me dy koalicione të opozitës, por sigurisht që kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Opozita duhet të bashkohet në një front të vetëm për këto zgjedhje, sepse kjo është mënyra e vetme që ajo të rikthehet në pushtet në vitin 2009", u shpreh Milo. Duke mos i kursyer "kritikat" për dy kryetarët e partive, si për Ramën ashtu edhe për Metën, kryetari i PDS-së u shpreh se lufta për pushtet nuk duhet të minojë objektivin e përbashkët të opozitës për t‘i dhënë vendit një të ardhme evropiane. Deri më tani, PDS-ja ende nuk ka vendosur zyrtarisht pozicionin që do të ketë në zgjedhjet e ardhshme në koalicionin që do të prihet nga PS apo atë nga LSI. Aktualisht nga njëri krah, socialistet janë në krahë të aleatëve më të ngushtë, socialdemokratëve të Skënder Gjinushit, kurse Lëvizja Socialiste për Integrim të partisë më të re të krijuar, PS91 të Petro Koçit.