E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Ndarja e Kosovës, vetëm halucinacion

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se ideja serbe për ndarjen e Kosovës është një dalldi e shfrenuar dhe një tezë që nuk ka asnjë shans për të ndodhur. Kreu i shtetit shqiptar, në një intervistë për "Radio Televizionin e Kosovës", deklaroi në lidhje me qëndrimin e Beogradit se "ky është vetëm një halucinacion. Nuk mund të ketë skenarë të tillë. Të japësh ide për hapa të mëdha retrograde, që do të prishnin çdo lloj balance, jo thjesht evropiane, por edhe më gjerë, do të thotë që të hedhësh teza që s‘kanë asnjë lloj shansi, do të thotë që të hedhësh teza që s‘kanë asnjë lloj vizioni. Unë mendoj që këto janë në sensin e asaj që ju thashë pak më parë, për konsum të politikës së brendshme dhe asgjë më shumë". Sipas Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pavarësia e Kosovës është një realitet tashmë pa kthim dhe që është kuptuar mjaft mirë nga krerët serbë, të cilët "kanë më shumë një tendencë për të justifikuar atë realitet të ri që ekziston në Serbi". Sipas Topit, "Beogradi po e përdor Kosovën për konsum të brendshëm, sepse në arenën ndërkombëtare kjo është një betejë e humbur. Por, nisur edhe nga disa sondazhe që janë bërë në shoqërinë serbe, të azhurnuara jo më larg se sa dita e djeshme, vetëm 8 për qind e shoqërisë serbe e quan si problem të rëndësishëm çështjen e kthimit te Kosova, çka do të thotë që edhe vetë shoqëria e sotme, 95 për qind e saj, heq dorë në mënyrë natyrale, të vullnetshme, nga një çështje e cila sot zhvillohet në një plan tjetër". Kreu i shtetit shqiptar, në intervistën e tij për "Tadio-Televizionin e Kosovës, ka folur për vizitën zyrtare që do të zhvillojë në Tiranë si kryetar i një shteti të pavarur, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Sipas Topit, "me Presidentin Sejdiu do të diskutojmë shumë teza të rëndësishme për të ardhmen e dy vendeve tona, për të ardhmen e Ballkanit dhe besoj për të gjithë atë inkursion diplomatik të përbashkët që duhet të bëjmë për vazhdimin e njohjes së Kosovës, pra, nga sa më shumë vende. Do të ketë surpriza të këndshme gjatë vizitës, sepse do të shohim gjëra interesante që kanë të bëjnë me interesin e dy vendeve tona dhe padyshim që nga ana tjetër, unë dëshiroj të vij në Kosovë. Është një lloj predispozicioni i natyrshëm i imi për të ardhur në Kosovë, për të takuar miq dhe mbi të gjitha për të parë një realitet të ri në Kosovë, për ta ndjerë nga afër, sepse informacione marrim përditë, por jam i bindur që kur të vij në Kosovë, do të shoh një realitet të ri shumë më pozitiv". Duke folur për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera të botës, kreu i shtetit shqiptar tha se gjithçka do të bëhet më e lehtë tani që Kosova u njoh nga vendet fqinje të Ballkanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›