Borchardt: Kemi inkurajuar reformat e Shqipërisë për tu anëtarësur në BE
Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Bernard Borchardt deklaroi dje në Elbasan se qeveria Gjermane ka inkurajuar reformat e shpejtuara që ka ndërmarrë Shqipëria për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, reforma të cilat janë duke kryer në masën dhe kohën e duhur. I ftuar në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan për leksionin me temë Integrimi i Ballkanit Perëndimor, perspektivat drejt Bashkimit Evropian, ambasadori Borchardt nënvizoi se në këto dy vitet e fundit, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha, duke përmendur këtu dhe masat për lehtësimin dhe liberalizimin e vizave.
Ju jeni ata që do të prezantoni Shqipërinë në BE, dhe unë ju siguroj që do të jetë një nga gjërat më të mrekullueshme që do të keni, u shpreh ambasadori Borchardt duke iu drejtuar studentëve të pranishëm. Ai vuri në dukje mbështetjen që qeveria gjermane ka dhënë për vendin tonë, duke nënvizuar se Gjermania është përkrahësi më i fortë i Shqipërisë në integrimin e saj, por transformimi dhe progresi vjen nga ne, shpejtësia varet nga ne dhe qeveria shqiptare. Ai u bëri thirrjeve shqiptarëve që të shkojnë të votojnë në 28 qershor. Duke u ndalur tek perspektivat e rajonit, ambasadori Borchardt deklaroi se perspektiva e Ballkanit perëndimor është në familjen e Komunitetit Evropian. Ky takim u zhvillua në kuadër të strategjive të auditorëve të hapura që ka nisur Universiteti A. Xhuvani në këtë vit akademik ku prezantohen leksione me tematika në interes të të rinjve studentë. Në auditorin e sotëm ishin të pranishëm studentë të Fakultetit të Shkencave Humane dhe rektori i universitetit, Liman Varoshi.