Rama, Vlorë: Maxhoranca të respektojë votën e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka garantuar nga qyteti i Vlorës se fitorja e forcës politike që ai drejton, në zgjedhjet e 28 qershorit do të jetë një mundësi dhe garanci për një faqe të re në historinë e Shqipërisë, për një të ardhme ndryshe për të gjithë shqiptarët dhe vlonjatët. Në mitingun elektoral të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në sheshin e Flamurit, Rama theksoi se beteja për zgjedhjet e 28 qershorit, do ti japë fund të vjetrës në pushtet dhe ajo është beteja e fëmijëve që nuk kanë libra, e mësuesve që nuk kanë mbështetje, e fshatrave që nuk kanë ujë, e grave që nuk kanë të drejta, e Shqipërisë së zhytur në varfëri dhe e fryrë nga korrupsioni.
"Ne do të fitojmë sepse, Shqipëria nuk mund të humbasë, ne do të fitojmë që balta e vjetër e 18 viteve të shkuara, të shterojë. Unë jam përpara jush të të hapim një faqe të re, që së bashku të shkruajmë një histori të re për Vlorën dhe Shqipërinë, nënvizoi Rama. Ai i bëri thirrje maxhorancës që të respektojë votën e shqiptarëve, ndërsa paralajmëroi se do të ndëshkojë me mjete ligjore çdo tentativë për deformimin e vullnetit të votuesve dhe do të bëjë pjesë të akuzës për shpërdorim detyre, denoncimet e qytetarëve për presione dhe shantazhe ndaj tyre. Ndër të tjera, ai premtoi një Shqipëri pa viza, ku brenda vitit të ardhshëm, për Shqipërinë e shqiptarët, nuk do të ketë më kufij, ndërkohë që fajësoi qeverinë për faktin se Shqipëria mbeti jashtë programit të liberalizimit të vizave me BE-në. Ndërsa në ndalesën e tij në qytetin e Përmetit dhe të Tepelenës, një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës është ndalur tek presioni që po ushtrohet ndaj nëpunësve të administratës për të dhënë votën në drejtim të PD-së, jashtë vullnetit të tyre, me kërcënime për largim nga vendi i punës. Rama ka kërkuar nga qytetarët të denoncojnë pranë PS rastet e presionit dhe burokratët që e ushtrojnë atë. Të gjithë ata drejtues të shtetit të sotëm që nuk bëjnë punën e shtetit, por mbrojnë interesat e pushtetit, qofshin nën uniformën e policisë, qofshin nën uniformën e burokratëve të lartë të administratës, për të cilët pas 28 qershorit do të kemi dëshmi se kanë kërcënuar qytetarët, se kanë kërcënuar vartësit e tyre, se kanë kërcënuar mësuesit dhe mjekët, ne do ti vëmë përpara ligjit dhe nuk ka asnjë forcë që i mbron nga ndëshkimi i ligjit, nënvizoi ai. Ai u shpreh i bindur në fitoren e PS, pasi Shqipëria nuk mund të humbasë të ardhmen e fëmijëve të saj. Sipas tij, e majta shqiptare do të fitojë, sepse fëmijët e Përmetit dhe të gjithë Shqipërisë nuk mund të humbasin dhe se të moshuarit dhe fëmijët në të gjithë Shqipërinë nuk mund të humbasin. Ne do të fitojmë sepse ne të gjithë nuk mund ta humbasim betejën me varfërinë, me papunësinë, me korrupsionin, me injorancën, me dhunën, theksoi Rama.