E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xeka: LSI me plan të qartë për zhvillimin e bujqësisë

Kandidati i LSI-së për qarkun e Tiranës, Idajet Xeka dhe njëkohësisht kryetar i LSI-së për Kavajën ka zhvilluar disa takime me banorë të fshatrave Luz i Madh dhe Luz i Vogël në Kavajë. Në këto takime kandidati Idajet Xeka ka prezantuar Planin për Veprim të Lëvizjes Socialiste për Integrim për probleme që lidhen me bujqësinë, infrastrukturën rrugore dhe ujin e pijshëm. Në takimin që është zhvilluar pasditen e së enjtes në fshatin Luz i Madh të komunës Lekaj, ai është shprehur para banorëve se LSI ka një plan të qartë për zhvillimin e bujqësisë. Specialistët e njohur të bujqësisë që kjo parti ka mbledhur rreth vetes, kanë hartuar në mënyrë të saktë hapat që do të ndërmerren për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale të vendit. Konkretisht puna për të dhënë një mbështetje efikase për fermerët e Luzit të Madh dhe gjithë fshatrave që shtrihen përgjatë rrugës nacionale Plepa-Rrogozhinë, do të jetë rehabilitimi total i kanalit vaditës Peqin-Kavajë, nënvizoi ai duke shtuar se aktualisht ky kanal nuk lag pjesën më të madhe të fshatrave në komunat e Lekajt, Luzit të Vogël dhe Synejit, duke sjellë një dëm të madh ekonomik për fermerët e zonës, ashtu si vitin e kaluar nga mungesa e ujit për vaditje. Ndër të tjera, kandidati Xeka ka bërë të ditur se LSI nëpërmjet Planit për Veprim ka parashikuar, përveç rehabilitimit total të kanalit, edhe subvencionin e farërave dhe inputeve bujqësore, certifikimin e tyre dhe kontrollimin e rreptë të plehrave kimike që vijnë nga jashtë, në mënyrë që të mos dështojnë fermerët në iniciativat e tyre. Infrastruktura rrugore ka qenë tema tjetër për të cilën është diskutuar me banorët e Luzit të Madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›