PBDNJ thyen “bojkotin”e opozitës, zgjidhet ngërçi i komisioneve
Zgjidhet ngërçi për krijimin e komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut depoziton emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, duke i dhënë fund situatës kaotike të krijuar me mos ngritjen e këtyre strukturave zgjedhore. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli bëri të ditur dje se “LSI-ja dhe PBDNJ-ja kanë paraqitur emrat e anëtarëve të KZAZ dhe se KQZ nesër do të marrë vendimin për konstituimin e tyre”. Aktualisht tre nga katër partitë, kanë paraqitur emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, duke bërë që të realizohet një konstituim i 5 KZAZ-ve, pavarësisht se mungojnë socialistët. Edhe pse Partia Socialiste ka marrë vendimin me anë të Asamblesë së saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, ngritja e KZAZ mund të funksionojë edhe me këtë skemë. PS-ja ka shumicën në tre KZAZ, në njësinë 10 të Tiranës, në Otllakë të Beratit dhe Fierzë. Mbi bazën e kësaj i bie që këto KZAZ të krijohen me 4 anëtarë pa tre 3 anëtarët e PS-së, forca e cila ka marrë drejtimin në bazë të shortit të hedhur nga KQZ. Ndërsa PD-ja ka shumicën në KZAZ-të e Fushë-Arrëzit dhe Klosit. Sipas burimeve pranë KQZ-së, edhe pse me katër anëtarë, këto KZAZ mund të funksionojnë pa probleme. Por do të jetë KQZ-ja e cila do të vendosë në mënyrë përfundimtare në lidhje me këtë situatë të krijuar. Kodi Zgjedhor, në nenin 29 të tij, përcakton ndërhyrjen e KQZ-së për zgjidhjen e situatës. “Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë u kalon partive politike të së njëjtit grupim, që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në Parlament në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”, thuhet në këtë nen. KQZ-ja duhet të vendosë nëse do t’i kërkojë PBDNJ-së, si partia opozitare e mbetur që të plotësojë vendet vakante apo do të krijojë 3 KZAZ-të me nga 4 anëtarë. Kjo gjë pritet të vlerësohet nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili mund t’i drejtojë një kërkesë PBDNJ-së nëse mund të plotësojë vendet vakante. Në Komisionin Qendror të Zgjedhje për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit në 5 njësitë e qeverisjes vendore janë regjistruar vetëm 3 parti politike për të marrë pjesë në votimet e pjesshme të 15 nëntorit. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës së Shqipërisë të Rinovuar janë subjektet e regjistruara në KQZ.