Abuzimet në Hipotekë, 53 masa në zyrën e Tiranës
Fatos Mahmutaj
Raporti i kontrollit për dy vitet e fundit në Hipotekën e kryeqytetit veç 14 punonjësve të pushuar nga puna do të sillte edhe dhënien e 39 masave të tjera më të lehta në këtë institucion.
Burime nga ky institucion pohuan se këto masa iu komunikuan punonjësve të këtij institucioni dy javë më parë, në të njëjtën ditë kur Dorina Stringës, e cila drejtoi këtë institucion prej rreth një viti, iu komunikua pushimi nga detyra së bashku me 13 vartës të saj. Motivi i shkarkimit ishin shkeljet e rënda që kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës. Burime nga Hipoteka pohojnë se 39 masat që iu dhanë specialistëve të tjerë të Hipotekës së Tiranës, të cilët ende ndodhen në punë nisin nga vërejtjet e thjeshta dhe vazhdojnë deri në paralajmërim për pushim nga puna. Duke iu referuar të dhënave nga raporti i kontrollit i këtij institucioni shkeljet e gjetura në hipotekën e kryeqytetit ishin me qindra, ndërsa kanë të bëjmë me kryerje ose moskryerje të veprimeve nga specialistët dhe ish regjistruesja e Tiranës. Kështu në raport bëhet e ditur se që nga fillimi i vitit të kaluar dhe deri pak ditë më parë në Hipotekën e Tiranës ishin dorëzuar 282 kërkesa për fshirje pronësie. “Nga këto kanë marrë rrugë ligjore vetëm 48 kërkesa. Kjo tregon mungesën e organizimit të punës nga ana e drejtuesve të kësaj zyre dhe të përgjegjësve të zonave, megjithë orientimet e herëpashershme të ZQRPP për trajtimin brenda afateve ligjore te kërkesave për fshirje”, thuhet në raport. Më tej, pohohet se në Hipotekën e Tiranës kishte mangësi thelbësore përsa i përket arkivimit të dokumentacionit. Kështu, në Hipotekën e Tiranës mungonte libri i pranimit të dokumenteve për regjistrimin fillestar në qytet”, të cilin asnjë nga 5 zonat e kryeqytetit nuk e dispononte. Gjithashtu në 5 zonat e Tiranës mungonin: “Fletorja me probleme për pasuritë pa datë “Përfundimtare”; “Libri i pranimit të kërkesave për regjistrim dhe lëshim certifikatash”; regjistri i korrespondencave dhe libri i dorëzimit të dokumenteve. “Ka pasur raste të praktikave të humbura dhe duke qenë se nuk kishte libër dorëzimi nuk mund te evidentohej përgjegjësia se kujt i ishte shpërndarë praktika”, thuhet në raportin e kontrollit. Më tej thuhet se asnjë nga punonjësit e Hipotekës së kryeqytetit nuk kishte të hapur librin model 4, të evidentimit të praktikave që përpunohen në këtë zyrë, detyrim ky për të gjithë punonjësit që përpunojnë dokumente tekniko-ligjore. Por, problemi më i rëndë i hasur në dokumentacionin e këtij institucioni do të ishte konstatimi i grisjes së kartelave të pasurive. Nga fillimi i vitit të kaluar dhe deri më 31 gusht të këtij viti, në Hipotekën e Tiranës janë gjetur rreth 250 kartela pasurie, në të cilat është abuzuar duke u grisur dhe dëmtuar apo lënë në vend, ndërkohë që grisja e kartelave përbën vepër penale.
Raporti, regjistruesit e Tiranës kryen vepra penale
TIRANE - Në disa vende në raportin e kontrollit të ZVRPP-së së kryeqytetit, si më problematikja në vend, thuhet se kryerja e veprimeve të ndryshme nga specialistët apo regjistruesit përbën vepër penale dhe dënohet sipas ligjeve në fuqi. Nisur nga kjo, duke iu referuar 244 faqeve të raportit të kontrollit, për një pjesë të specialistëve të gjetur me shkelje është pohuar se kanë konsumuar elementë të veprave penale, por ende në Prokurorinë e kryeqytetit nuk ka mbërritur asnjë denoncim në ngarkim të tyre. Në raport janë klasifikuar si shkelje të tilla, grisja e dokumenteve, asgjësimi i qëllimshëm i tyre, fshehja e tapive të zonës së Kasharit, mos arkivimi i dokumenteve, korrigjimet e ndryshme me korrektor nëpër kartela, mosfshirja e regjistrimeve, humbja e dokumenteve, lënia e vendeve apo fletëve bosh nëpër regjistra si dhe mjaft të tjera, por që për asnjë prej punonjësve nuk është kryer denoncim në prokurori. Në raport kontrolli janë vendosur edhe observacionet e bërë nga specialistët dhe punonjësit e gjetur me shkelje, ku janë paraqitur edhe argumentet pse nuk duhet të pranohen pretendimet e tyre. Po kështu në raport është shënuar disa herë se veprime të ndryshme, të konstatuara gjatë kontrollit, përbëjnë vepër penale dhe janë të dënueshme ligjërisht. Këto veprime, janë specifikuar në raportin me 244 faqe, ndërsa janë përcaktuar saktë edhe personat që kanë përgjegjësi për to. f.m