E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Programi i PS, edhe për pronarët e legalizimet

 

Programi i ri politik i PS-së synon rregullimin e marrëdhënieve me votuesit socialist, duke synuar përfshirjen e sa më shumë shtresave shoqërore që do të votonin pro kësaj force politike. Nisur nga situata e re e krijuar pas përballjes zgjedhore të 28 qershorit, Partia Socialiste pritet të përshijë në programin e saj edhe ato shtylla që janë pjesë e programit të partive të djathta, si ish-pronarët dhe legalizimet. Ish-kryeministri Pandeli Majko, anëtar i grupit të PS-së në ndryshimin e programit politik të partisë më të madhe opozitare. “Programi i ri politik do të ketë si bazë riparimin e marrëdhënieve të plasaritura deri në imoralitet mes votuesve dhe politikës”, deklaron Majko për “Top Channel”. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, PS-ja duket se do t’i përshtatet realitetit të ri politik, duke përfshirë edhe çështje të mbetura pezull si të pronësisë, legalizimeve apo të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve. Majko thekson se e majta po përpiqet të rikuperojë vetveten brenda një logjike të caktuar, sepse votuesit duhet të votojnë pro ose kundër një projekti dhe jo pro apo kundër dikujt. “Ne nuk kemi kuptuar thelbësoren: marrëdhënien e plasaritur mes votuesve dhe politikes. Edhe më naivët e kuptojnë se shteti shqiptar në marrëdhëniet me pronën dhe me pronarët, nuk dua të them ish-pronarët, ka kryer dhe është në kufijtë e një krimi të mirëfilltë ekonomik, ka elementë të tjerë që kjo qeveri nuk po di t’i japë përgjigje, siç është ajo e urbanizimit të popullsisë shqiptare, është çështja e trajtimit shumë të përciptë politik, që i është bërë siç është ajo e legalizimeve, e cila sigurisht që është një çështje e rëndësishme, por çështja e lëvizjes së njerëzve nga fshatit drejt qytetit ende nuk ka filluar mirë”, deklaron Majko. Socialisti e ka krahasuar hartimin e programit me kohën politike të viteve 1920-1930 ku përpara kishte një përplasje ndërmjet Ahmet Zogut dhe Fan Nolit. “Mbase mund të duket e tepruar në momentin që flasim, por rivarrosja në tokën shqiptare, që për mua është mese normale e dy figurave të veçanta të historiografisë shqiptare, siç është Zogu dhe Fan Noli, duhen kuptuar si të tilla. Zogu në thelb përbën gjenezën e së djathtës në Shqipëri, ashtu si Noli është gjeneza e së majtës në Shqipëri. Por këta dy njerëz mbeten po aq të çuditshëm sa e çuditshme vazhdon të jetë marrëdhënia mes të majtës dhe të djathtës sot në Shqipëri. Në një mënyrë të caktuar ne kemi Zogun nga kryeministër në president, dhe president-kryeministër u bë mbret i Shqipërisë dhe Nolin, i cili me flurudhën e vet fillimisht në drejtim të Bashkimit Sovjetik dhe pastaj në drejtim të SHBA, në një mënyrë apo tjetër, kjo është rruga që ka ndjekur e majta në Shqipëri pas viteve ’90. Jemi në një terren që kërkon refleksione të thella”, thekson Majko. Vendimi për ngritjen e një grupi pune për hartimin e programit politik u mor të shtunën nga Asambleja Kombëtare e PS. Grupi i punës për hartimin e programit politik të Partisë Socialiste së për bëhet nga 16 anëtarë dhe kryesohet nga ana e kryesocialistit Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›