Born: Diego largohet vetëm po vdiqa unë
Presidenti i Verder Bremenit, Jurgen Born, ka paralajmëruar klubet rivale se nuk do ta shesë fantazistin Diego për asnjë çmim që mund t‘i ofrohet. Lojtari brazilian i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet në Bundesligë dhe ka tërhequr vëmendjen e Çelsit, Realit të Madridit dhe Juventusit. Megjithatë, 23-vjeçari, i cili rinovoi edhe për një vit tjetër kontratën, është i lidhur me Verderin deri në vitin 2011. Për radion spanjolle "Onda Cero", Born tha: "Nëse dikush dëshiron të blejë Diegon, më parë duhet të më vrasin. Lojtari do të largohet nga Verderi vetëm duke kaluar mbi trupin tim të vdekur. Askush nga drejtuesit e Realit të Madridit nuk më ka kontaktuar, për asnjë futbollist. Diego nuk është në shitje, ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2011 dhe është lojtari më i rëndësishëm i skuadrës". Nga ana e tij, mesfushori brazilian ka pranuar se ka folur me bashkëkombësin e tij, Robinjo, rreth Realit të Madridit, por nuk ka pasur asnjë kontakt me klubin, apo përfaqësues të skuadrës madrilene.