Vetel në vend të Felipe Masës
Pas largimit të Zhan Todt (më saktësisht francezi do të vazhdojë të qëndrojë te Ferrari, por jo në pozicionin e administratorit), kanë filluar edhe zërat rreth së ardhmes së Felipe Masës. Nga Oqeania e largët janë përhapur dy lajme që kanë tronditur disi sportin e Formula 1. Ndërkohë që të gjithë po përgatiten për t‘u transferuar në Malajzi, ku gjatë fundjavës në cirkuitin e Sepangut do të zhvillohet gara e dytë e Botërorit, e përjavshmja "Autosprint" ka bërë të ditur një ndryshim në radhët e "kokëkuqes". Drejtuesit e skuadrës italiane kanë vendosur të afrojnë Sebastian Vetel në sezonin 2009, duke "sakrifikuar" Masën, edhe pse braziliani ka tre vjet kontratë, deri në vitin 2010. Sipas revistës, në marrëveshjen Vetel-Ferrari, ndikim ka pasur edhe Mikael Shumaher, i cili është takuar me pilotin e ri gjerman të Toro Rosos gjatë Garës së Kampionëve që është zhvilluar në dhjetor 2007 në Londër. Për të marrë shërbimet e Vetel, skuadra kampione e botës ka bindur Red Bullin, gjë që të cilën në të kaluarën nuk kishte arritur ta bënte BMW-ja. Me këtë manovër, Ferrari mposhti konkurrencën dhe siguroi një pilot me të ardhme të shkëlqyer, të cilin e kishte "shenjestruar" prej kohësh. Ndryshimet mund të ndodhin edhe për shkak të dështimit në Çmimin e Madh të Australisë, ku Masa ka dalë nga pista, ndërsa Raikonen është pozicionuar në vendin e tetë, pavarësisht se nuk e mbylli garën.
Lajmi i dytë është ai i zyrtarizimit të zërave se skuderia e Toro Rosos është në shitje. "Motorsport Aktuell" ka arritur të sigurojë deklaratën e Dieter Mateshitz, numrit 1 të skuadrës. Ai ka pohuar se me rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi nga viti 2010 do të jetë e pamundur që të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Red Bull dhe Toro Rosos (skuadra që drejtohen të dyja nga Mateshitz). Ende nuk dihet se cili mund të jetë i interesuar për të blerë këtë skuadër, megjithatë Mateshitz garantoi se do ta shesë skuadrën e tij të dytë vetëm tek ata persona që do të ofrojnë garanci për të ardhmen.