Milani, pa Champions nuk ka blerje të mëdha
Skuadra e Milanit vazhdon të gjendet jashtë zonës së Ligës së Kampioneve, objektivi i saj kryesor në këtë pjesë të fundit të sezonit kuqezi. Por strategjitë e klubit pritet që të jenë të ndryshme, nëse kuqezinjtë kualifikohen vetëm në Kupën UEFA, me pasoja të ndjeshme në të ardhurat ekonomike.
Liga e Kampioneve
Prioriteti është blerja e një portieri, dy mbrojtësve, një mesfushori dhe dy sulmuesve. Ançeloti ka bërë të qartë se dëshiron 5 sulmues për sezonin e ardhshëm, përfshirë edhe të riun Paloski. Cilët janë katër të tjerët? Pato dhe Inzagi janë të padiskutueshëm. Po hetohet mundësia e kthimit "në shtëpi" të Borrielos dhe huazimi i Shevçenkos. Por objektivi kryesor, nëse arrihet kualifikimi në Ligën e Kampioneve, vazhdon të mbetet Drogba. Vendi i portierit vazhdon të jetë një duel i hapur mes Pelicolit dhe Frei. Në mesfushë pritet Flamini, francezi që është shkëputur nga Arsenali dhe duket se ka firmosur një parakontratë me kuqezinjtë. Zambrota dhe Barzalji janë emrat për mbrojtjen.
Kupa UEFA
Në këtë eventualitet, klubi do të vendosë të mos shpenzojë shumë për një sulmues të njohur, por për të krijuar një grup që duhet të luftojë për titullin kampion. Do të nevojitet një grup lojtarësh që mund të përballojë pa probleme një aktivitet të gjatë me më pak emra të njohur, por me më shumë qëndrueshmëri në fushën e lojës.
Ançeloti
Berluskoni dhe Galiani japin garanci se pozicioni i trajnerit nuk është në dyshim. Por në futboll, gjithçka është e mundur. Për këtë arsye, kanë filluar kontaktet e para me Marçelo Lipin, nga të njëjtët drejtues që këto ditë kanë deklaruar se Ançeloti është i paprekshëm. Por bisedimet me ish-trajnerin e Italisë janë ndërprerë, kur ky i fundit ka vendosur disa kushte si largimi i Sedorf dhe Inzagit, apo riorganizimi i sektorit mjekësor. Drejtuesit e Milanit kanë vendosur të mos vazhdojnë këto bisedime, pasi ata ruajnë të drejtën ekskluzive në çështje të tilla, përfshirë edhe merkaton e klubit.
Rreshtimi
Nëse Ançeloti do të vazhdojë të jetë i ulur në pankinën kuqezi, edhe vitin tjetër nuk do të ketë shumë ndryshime nga rreshtimi aktual, 4-3-2-1. Aktivizimi njëkohësisht i Sedorf dhe Kaka siguron qarkullimin e topit, një stil loje që ka dhuruar disa nga sukseset më të rëndësishme për këtë klub që në vitin 2002. Nëse do të afrohen lojtarë të rëndësishëm gjatë merkatos, atëherë rreshtimi mund të ndryshohet në skemën 4-4-2, duke shfrytëzuar më shumë lojën në krahë. Por aktualisht, Milani nuk ka në dispozicion lojtarë të tillë, pasi Kafu dhe Serxhinjo duket se janë shumë pranë fundit të karrierës së tyre.
Humbjet
Moskualifikimi në Ligën e Kampioneve pritet të sjellë rreth 15 milionë euro më pak në arkat e klubit. Në Kupën UEFA, gjithçka vlen më pak, duke filluar nga shitja e së drejtës televizive, të ardhurat nga stadiumi apo premiot e UEFA-s në rast fitoreje dhe barazimi.