Konflikti politik eksportohet në Strasburg
Kriza politike në vend, debatet dhe akuzat e ndërsjella mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste janë spostuar në mesin e Europës. Në Strasburg, Këshilli i Europës po merr rolin e arbitrit, pasi po lexon letrat e përditshme të dërguara nga palët, ku shpjegohen procedura, kërkohen pezullime dhe hidhen akuza të ndërsjella. Shkak për këtë situatë është bërë emërimi i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ku Kryetarja e Kuvendit ka vendosur që të lërë përsëri emrin e deputetit socialist, Kastriot Islami, për të përfaqësuar PS-në në KiE, ndonëse socialistët prej kohësh po bojkotojnë Kuvendin. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, lexoi për median letrën që sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade, i kishte dërguar Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së për këtë emërim. “Partia kryesore e opozitës në vend kërkon përjashtimin de facto të vendit të tyre nga Këshilli i Europës, pas 15 vitesh anëtarësimi. Kjo përbën kërkesën më të dënueshme, më antishqiptare dhe më antidemokratike të formuluar gjatë këtyre 15 viteve ndaj Shqipërisë”, e cilësoi Kryeministri Berisha letrën e dërguar në Strasburg nga socialistët. Sipas tij, me anë të zhbllokimit të kredencialeve për delegacionin shqiptar, Këshilli i Europës tregoi se ai ishte kundër bojkotit të opozitës dhe se e dënonte atë. “Komisioni i procedurës i dha goditjen e merituar e fatale bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen e nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, bojkoti nuk kalon në institucionet demokratike”, deklaroi Berisha. Madje Kryeministri foli në mbledhjen e djeshme edhe për një deklaratë të socialistëve europianë në KiE, sipas të cilëve bojkoti i opozitës ishte i dëmshëm. Në këtë kontekst, Berisha deklaroi se socialistët europianë në KiE ishin informuar për çështjen e bojkotit nga një letër zyrtare e dërguar prej Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe nga disa dokumente të prezantuara nga Lëvizja e Mendimit Ndryshme në PS. Nuk vonoi shumë edhe në media u paraqit letra që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në letrën e saj Topalli thekson edhe procedurën që ka ndjekur për emërimin e delegacionit të ri shqiptar. Kryetarja e Kuvendit shpjegon se si pasojë e bojkotit, grupi parlamentar i PS-së nuk është ngritur dhe nisur nga kjo socialistët nuk kanë propozuar asnjë emër për delegacionin në KiE. Topalli shpjegon se ajo e ka vendosur emrin e islamit në delegacion, për shkak se ai ka qenë më parë pjesë e tij. Por Topalli nuk ngurron që t’i shpjegojë presidentit të KiE-së, se kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se ai kërkon të marrë pushtetin me dhunë. Në mbështetje të deklaratës së saj, Topalli citon edhe mediat vendase.
#