E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet çojnë në vetëhelmim babain e 4 fëmijëve



RROGOZHINË – Borxhet e shumta që kishte një 39 vjeçar, kanë çuar në vetëhelmim babanë e katër fëmijëve. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje në mëngjes. Sipas tyre, 39-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, gjeti vdekjen në mjediset e spitalit të qytetit të Rrogozhinës. Sipas mjekëve, viktima kishte pirë një sasi të madhe fostoksine. Kur ka mbërritur në spital për të marrë ndihmën mjekësore, gjendja e tij ka qenë e pashpresë. Sipas dëshmive të dhëna në rajonin e policisë së Rrogozhinës, i vetë-helmuari, babai i katër fëmijëve, kishte shumë borxhe. Ai dhe bashkëshortja e tij nuk ishin në marrëdhënie pune. Varfëria dhe gjendja e rënduar psikologjike, duket se kanë nxitur 39-vjeçarin që të ndërmarrë aktin fatal.
Dy ditë më parë, një tjetër tentativë vetëvrasje ndodhi në rrethin e Lushnjes. Një punonjës policie në komisariatin e qytetit, tentoi të vetëvritej, duke përdorur një thikë. Por ndërhyrja në kohë e të pranishmëve, dhe ndihma e menjëhershme mjekësore, kanë bërë të mundur që të shpëtojnë jetën e efektivit të policisë. Burimet bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e aktit të ndërmarrë nga polici 55-vjeçar.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›