E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, 17 vjet burg për burrin xheloz që vrau gruan me kosë



ELBASAN – Drejtësia jep vendimin për burrin që vrau bashkëshorten e tij me kosë një vit më parë për shkak të xhelozisë. Gjykata e rrethit të Elbasanit dënoi të premten me 17 vjet burg Asqeri Kullollin, i cili në qershor të vitit 2007 vrau gruan e tij, pas një grindje për motive xhelozie. Organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me 25 vjet për Asqeriun, por më në fund, duke u marrë në konsideratë pranimin e krimit dhe gjendja emocionale në të cilën është kryer krimi, trupi gjykues uli masën e dënimit me 1/3. Aishe Asqeriu ishte vrarë me kosë nga bashkëshorti i saj gjatë një konflikti në shtëpinë e tyre në fshatin Lisaj të Komunës Kajan të rrethit të Elbasanit.
Vendimi
Në seancën e fundit në ngarkim të Asqeri Kullollit, trupi gjykues i kryesuar nga Daniela Zhirka vendosi dënimin e tij me 17 vjet burg. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 25 vjet burg për bashkëshortin vrasës, i cili kishte pranuar krimin. Pala mbrojtëse kishte kërkuar që të merreshin në konsideratë rrethanat në të cilat u krye krimi. Por më në fund, trupi i gjyqtarëve dha vendimin, duke e dënuar me 17 vjet. Kullolli përfitoi në bazë të ligjit, ulje dënimi me 1/3-tën. Ai ka pranuar vrasjen që në momentin që është ndaluar. Mësohet se bashkëshorti vrasës do të vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Ngjarja
Krimi në familjen Kullolli, me banim në fshatin Lisaj të komunës Kajan, ndodhi në 13 qershor të vitit 2007. Në grindje e sipër për motive xhelozie kryefamiljari qëlloi për vdekje me kosë, bashkëshorten e tij Ishe Kullolli. Kur është kryer krimi, Asqeriu ka qenë duke dalë nga shtëpia e tij me kosën në dorë dhe për momentin ka nisur që të zihet me të shoqen. Në gjaknxehtësi e sipër, ai ka goditur 32- vjeçaren Aishe Kullolli me kosë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. E gjithë ngjarja është parë nga fëmijët e çiftit, të cilët kanë njoftuar fillimisht fqinjët e më pas policinë. Bashkëshorti është larguar me shpejtësi nga shtëpia pa u arrestuar nga policia për dy ditë. Më pas ai është ndaluar dhe është dërguar në mjediset e paraburgimit të Elbasanit. Pas gati 1 viti përfundoi procesi gjyqësor ndaj Asqeri Kullollit, i cili do të vuajë 17 vite në burg sipas dënimit, nëse nuk do të apelojë vendimin në nivelet më të larta të gjyqësorit.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›