Grekët kapin trafikantin, gjenden edhe 110 kg kanabis të braktisur
ATHINE – Edhe dy raste të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë kanë dështuar, pasi policia e vendit fqinj ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme Canabis sativa, si dhe ka ndaluar një të rinj shqiptar. Sipas medieve greke, para tre ditësh një 31-vjeçar shqiptar, i cili trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi, është arrestuar pasi i është gjetur në motoçikletën e tij një sasi prej 1 kilogram hashash. Pas kontrollit në shtëpinë e tij, i janë gjetur dhe konfiskuar gjithashtu edhe 46 kg hashash, 8500 euro, një peshore farmacie dhe tre telefona celularë. Duke iu referuar policisë, në lagjen Ano Patisia të Athinës trafikanti shqiptar kishte siguruar një depo për sasinë e drogës që vinte nga Shqipëria, e cila pasi paketohej në sasi më të vogla u shpërndahej “klientëve”. Policia greke ndërkohe ka vazhduar hetimet për të mësuar sa më shpejt bashkëpunëtorët e tij, të cilët siç vlerësojnë burime pranë policisë, janë trafikantë të tjerë shqiptarë të cilët vizitojnë shpesh herë Greqinë duke futur në këtë vend sasi të ndryshme lëndësh narkotike. Po dje raportohet se janë gjetur dhe konfiskuar edhe 110.8 kg të tjera Canabis sativa në një makinë të braktisur në aksin Korçë –Janinë. Aktualisht çështja po hetohet me hollësi nga Antidroga greke e Janinës.
3 Maj 2008