Borxhet e OSSH, Dollapi: Do kërkojmë kredi nga bankat
Fabiola Çela
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të marrë 10 milionë euro kredi pranë bankave të nivelit të dytë. Kjo si pasojë e gjendjes së vështirë financiare në të cilën ndodhet OSSH-ja, situatë e cila ka ardhur si pasojë e detyrimeve të pashlyera. Deklarata është dhënë dje nga vetë kreu i Shpërndarjes, Dollapi, i cili ka premtuar se gjatë ditëve të festave do të ketë energji pa ndërprerje.
Borxhet
Disa prej institucioneve shtetërore e sidomos ujësjellësit nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, çka ka vështirësuar situatën financiare të OSSH-së. “Po punohet nga Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punëve Publike për gjetjen e një skeme për pagesën e këtij borxhi nga ujësjellësit. Shuma në total e borxhit arrin vlerën e 13 milionë euro borxh për vitin 2007 dhe vitin 2008”, tha ai. Madje, sipas kreut të OSSH-së, situata financiare është e vështirë. “Jemi duke operuar për marrjen e një kredie për shlyerjen e të gjitha detyrimeve që ka kompania, por në rast se ne arrijmë të marrim të gjitha detyrimet që na kanë ujësjellësit, atëherë kërkesa për kredi bëhet e panevojshme”, tha ai. OSSH-ja kërkon të marrë 10 milionë euro kredi. Aktualisht Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është në fazën përfundimtare të privatizimit. Qeveria ka miratuar kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë (OSSH). Pronarët e rinj të kësaj kompanie janë çekët e “CEZ”. Qeveria dhe çekët kanë hyrë në një fazë negociatash për kushtet e kontratës, të cilat do të përcaktojnë ecurinë e treguesve, por edhe tarifat e energjisë në vitet e ardhshme. Kjo, pasi blerësit e OSSH-së pritet të përmirësojnë edhe dy treguesit kryesorë, që janë ulja e nivelit të humbjeve të energjisë dhe rritja e nivelit të arkëtimeve. Me privatizimin e OSSH-së pritet të përmirësohet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji të konsumatorëve.
Furnizimi
Kreu i Shpërndarjes, Dollapi, ka premtuar furnizim pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët që e paguajnë energjinë dhe deklaroi se OSSH-ja do të vazhdojë fushatat për të ndërprerë energjinë e debitorëve. Ndërsa lidhur me ditët e festave, Dollapi ka premtuar se furnizimi me energji elektrike do të bëhet pa ndërprerje gjatë gjithë kohës. Sipas tij, OSSH-ja ka marrë të gjitha masat për parandalimin e defekteve që mund të ndodhin si dhe premtoi një situatë normale, me gjithë ngarkesën që do të ketë në ditët e fundvitit. “Aktualisht, gjendja e furnizimit me energji është normale. Të gjitha strukturat e OSSH-së po përgatiten për përballimin e sezonit të dimrit, si për eliminimin e avarive, edhe për furnizimin normal të qytetarëve gjatë festave të fundvitit. Por dua të theksoj edhe një herë mesazhin se cilido qytetar, familjar, biznes apo ndërmarrje që nuk paguan energjinë elektrike të konsumuar, abonentit do t’i ndërpritet furnizimi me energji”, ka thënë ai.