Gjendet i pajetë 53-vjeçari, pësoi hemorragji pas përplasjes
KORÇE - Gjendet i vdekur në banesën ku jetonte i vetëm 53-vjeçari. Ferat Zenuni, banor i fshatit Rehovë në Komunën e Vithkuqit në Korçë u zbulua nga fqinjët e tij, të mbuluar nga gjaku, pranë derës së shtëpisë. Dyshimin se diçka mund të kishte ndodhur me të zotin e shtëpisë e dha qeni i tij, i cili ndryshe nga ditët e tjera vërtitej rreth shtëpisë dhe lehte sikur vajtonte. Kjo gjë ishte e pazakontë, ndaj bashkëfshatarët filluan të thërrisnin Zenunin, por prej tij nuk merrnin asnjë përgjigje. Heshtja i shtyu për të hyrë brenda në shtëpi, ku pas derës gjetën 53-vjeçarin në një pellg gjaku. Fqinjët e tij i ka frenuar ky fakt, duke bërë që menjëherë të lajmëronin policinë. Një grup ekspertësh mbërriti për të verifikuar çfarë kishte ndodhur. Sipas tyre dyshohet se viktima, për arsye ende të panjohura ka humbur ekuilibrin, duke u përplasur në tehun e mprehtë të derës së korridorit. Përplasja i ka shkaktuar një të çarë të madhe dhe për pasojë hemorragji. Askush nuk e ka ndihmuar dot në atë moment, pasi viktima jetonte i vetëm. Duket se ai humbi ndjenjat e më pas dhe jetën, derisa u gjet dy ditë më vonë. j.gj