E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursa, shënohet rënie rekord e çmimit të naftës

 

Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka shënuar një tjetër rekord. Por ndryshe nga disa muaj më parë, këtë herë bëhet fjalë për uljen drastike të çmimit të naftës. Në tregjet ndërkombëtare një fuçi naftë dje u kuotua me 41 dollarë. Çmimi i arit të zi ka rënë ndjeshëm krahasuar me muajin gusht, kohë në të cilin një fuçi naftë u shit me 147 dollarë. Por në dallim nga tregjet e huaja, në tregun vendas kjo rënie drastike e çmimit të karburanteve nuk është reflektuar. Në pikat e shitjes së karburanteve një litër eurodiezel shitet me 125-130 lekë, po ashtu edhe benzina. Ndërsa një litër naftë diezel shitet me 120-125 lekë. Të dhënat tregojnë se pavarësisht uljes së çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, grosistët vendas nuk kanë reaguar për të ulur çmimin e karburanteve. Sipas tyre, dy janë faktorët që ndikojnë në vendosjen e çmimit të shitjes në vend, i pari ka të bëjë me taksat dhe faktori i dytë është tregu ndërkombëtar. Në rastet kur çmimi i karburanteve në bursa pëson rritje, tregtarët vendas nuk ngurrojnë të rrisin brenda një kohe shumë të shkurtër çmimin e naftës apo benzinës. Por e kundërta po ndodh në rastin kur në tregun ndërkombëtar çmimi i tyre ka pësuar ulje. Grosistët vazhdojnë të tregtojnë pothuajse me të njëjtin çmim, duke rritur kështu fitimet e tyre në kurriz të konsumatorëve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›