Një fshat kundër ujësjellësit
BURREL - Banorët e fshatit Urxallë në komunën e Derjanit të Matit nuk lejojnë ndërtimin e ujësjellësit të fshatit fqinj. Sherri ka nisur prej ditësh, kur banorë të shumtë të Urxallës nuk kanë lejuar firmën e ndërtimit të vazhdojë punimet në afërsi të burimit të ujit. Konflikti ka kulmuar parmbrëmë kur efektivë të policisë kanë shoqëruar për rreth 10 orë kryetarin e fshatit Besim Toçi dhe Qazim Merrën, banor i këtij fshati, i cili pretendon se uji është blerë nga të parët e tij dhe cenohet prona private nga do të kalojë ujësjellësi i fshatit Derjan. Besim Toçi, sapo doli nga godina e policisë tha se ai ishte i mandatuar nga banorët e Urxallës dhe shoqërimi ishte i paligjshëm. "Inspektori i zonës më njoftoi se duhet të udhëtoja bashkë me të, me mjetin e policisë, në drejtim të Burrelit për t'u pyetur për diçka. Kur shkova në Burrel më dërguan në mjediset e policisë ku kam qëndruar për rreth 10 orë. Unë deklaroj se në këtë rast nuk mbroj interesat e mija, por të banorëve që më kanë zgjedhur. Fshati im nuk ka ujë për familjet që banojnë aktualisht aty, jo më të furnizojë me ujë një fshat tjetër". Zyrtarë të policisë lokale thanë se komuna Derjan ka bërë një denoncim në Komisariatin e Policisë dhe ka kërkuar ndihmën e saj për vazhdimin normal të punimeve. "Uji është pasuri shtetërore dhe komuna ka hartuar një projekt për ndërtimin e ujësjellësit. Punimet kanë vazhduar prej muajsh dhe ne do të zbatojmë ligjin për vijimin e investimit të nisur", pohuan burimet e policisë. h.p