Zbardhet misteri, adoleshentja nga Lushnja nuk u vetëhelmua
TIRANE-Erilda Vogli, adoleshentja nga Krutja e Lushnjes që studionte në Itali, nuk ka vdekur nga vetëhelmimi. Edhe pse pak me vonesë, Prokuroria e Lushnjës, me anë të një komunikimi zyrtar me familjarët e të ndjerës, ka provuar se vdekja enigmatike e Erildës 17-vjeçare është shkaktuar nga insufiçenca kardiovaskulare akute, pra nga çrregullimet e muskulit të zemrës. Një rezultat i tillë mban firmën e dy ekspertëve mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Erilda Vogli, emigrante në Itali, ishte nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit në Bitondo (Bari) të Italisë dhe në vendlindje kishte ardhur për të kaluar pushimet. Në përfundim të tyre, më 27 gusht 2008, ajo krejt papritur humb ndjenjat dhe në gjendje të rëndë dërgohet në spitalin e Lushnjës, ku edhe ndahet nga jeta. Në nxitim dhe sipër lajmi i emetuar nëpër media vendoste vetëhelmimin si shkak të humbjes së jetës së adoleshentes. Por ekspertiza e përfunduar rreth 2 muaj më pas, më 19 nëntor 2008, bëri që prindërit dhe të afërmit të mësonin të vërtetën. Ndërkohë në Bitondo të Barit, vdekja e adoleshentes me origjinë nga Shqipëria përjetohet me dhimbje nga shoqëria e saj. Një dhimbje që shoqërohet me artikuj lamtumire në faqet e gazetave lokale si dhe përkushtime të ndryshme. Në një fotografi të plastifikuar dhe të shumëfishuar të Erildës, shoqet e saj shkruajnë: "Non rattristiamoci di averma persa, ma ringraziamo di averma avuta" (Nuk trishtohemi se të humbëm, por falënderojmë se të kemi pasur). Erilda Vogli e bija e një ish-polici dhe një ish-mësueseje, kishte mbërritur, bashkë më prindërit, si klandestine me gomone në Itali në vitin 1998. Me kalimin e viteve ajo ishte ingranuar në jetën e përditshme në shtetin fqinj, duke pasur edhe rezultate të shkëlqyera në mësime. Gjithashtu Erilda 17-vjeçare kishte nisur të dërgonte shkrime me përjetime të saj për Shqipërinë në mediat lokale, një pjesë e të cilave kishin gjetur dritën e botimit. fe.de