"Precedentët", pranga në kufi të kërkuarve për trafik
FIER/ MAJLINDA RAMA
Të shpallur në kërkim për favorizim të klandestinëve kapen në kufi, në tentativë për të kaluar 4 të tjerë. Nisur nga rastet e mëparshme, policia e Fierit e ka koduar aksionin për kapjen e katër fierakëve "Precedentët". Ka qenë puna e seksionit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ajo ka që bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasve Fadil Hyskaj, Xhevahir Murataj, Novruz Ruçaj dhe Vasillaq Hazizaj. Të katër këta shtetas kanë qenë të dënuar më parë po për të njëjtën vepër penale, atë të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Nga hetimet e kryera me metoda speciale është dokumentuar plotësisht aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve në më shumë se tre raste të veçanta. Këta persona, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, por edhe me shtetas të tjera nga disa qytete, kanë ndihmuar grupe dhe individë të veçantë për të kaluar kufirin. Mënyrat që ndiqeshin ishin antiligjore dhe kalohej përmes pikave të kalimit kufitar dhe kufirit të gjelbër, në zonën jug-lindore të Shqipërisë dhe kryesisht nga Korça, Gjirokastra, Saranda, por edhe nga Qafë-Thanë e Maqedoni. Destinacioni final i klandestinëve ka qenë shteti fqinj, Greqia. Për të përfituar një shërbim të tillë personat e interesuar për linjën ilegale duhet të paguanin nga 1000-2800 euro secili dhe gjithçka vendosej në momentin ku kalimi i kufirit ishte kryer. Ndalimi i të katër personave është bërë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Policia e Fierit kishte siguruar informacion për këtë lëvizje të personave që ishin nën survejim si të dyshuar për trafikun klandestin, duke vepruar vetëm kur ata i ishin afruar kufirit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjete tip "Benz", një me targa të Tiranës dhe një automjet me targa të Fierit. Gjithashtu janë gjetur 200 mijë lekë dhe 2 mijë euro, 9 telefona celularë dhe 15 karta të ndryshme të kompanive celulare, të cilat operojnë si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Trafikantëve u është gjetur po ashtu edhe një pasaportë shqiptare, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar, por që është dërguar për një inspektim të imtësishëm në Tiranë. Ndërkohë nga ana e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier bëhet e ditur se po vazhdon një hetim i detajuar për goditjen e bashkëpunëtoreve të këtij grupi trafikantësh të cilët, po sipas organit të akuzës, mund të jenë të vendosur në disa qytete të jugut të Shqipërisë.