Trekëndëshi’ i heroinës, burg për 5 të arrestuar
TIRANE - Pesë personat e arrestuar nga operacioni "Trekë-ndëshi" pak ditë më parë në kryeqytet do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Tiranës dha dje masën e sigurisë "arrest me burg" për Ibrahim Canin, Ardit Bakallin, Nikolin Merkajn, Denis Covelin dhe Fatmir Mezinin. Sipas burimeve pranë kësaj gjykate, bëhet e ditur se nga ana e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre ligjorë është pretenduar se arrestimet janë bërë pa prova të mjaftueshme materiale. Kjo, pasi sipas tyre, vetëm i pandehuri Merkaj është kapur nga policia ndërsa kishte me vete sasinë e drogës. Avokati vuri në diskutim akuzën duke pohuar se akt-ekspertimi që konfirmon se lënda e bllokuar ka qenë drogë, nuk ishte paraqitur ende në gjykatë duke aluduar se pluhuri i bllokuar mund të jetë lëndë tjetër. Ndërsa pala e akuzës konfirmoi se zotëron përgjime telefonike që tregojnë implikimin e të pandehurve në trafik. Operacioni që çoi në pranga 5 të sipërpërmendurit u zhvillua mbrëmjen e së martës së kaluar në afërsi të rrugës së Elbasanit. Sipas policisë, operacioni u krye në momentin që të pandehurit po bënin shkëmbimin e një sasie prej 2 kilogramësh heroinë. Sasia e lëndës narkotike ishte në sediljet e një automjeti tip "Benz c class" me targa TR 1754 N, e cila drejtohej nga Merkaj. Duke iu referuar burimeve policore bëhet e ditur se droga vinte nga Elbasani në Tiranë dhe më pas ishte e destinuar për tregun kryeqytetas. Mësohet se Çaveli dhe Merkaj kishin porositur sasinë e drogës tek Mezini dhe Cani, të cilët ishin banorë të qytetit të Peqinit. Të njëjtat burime saktësojnë se ata bashkëpunonin me Bakallin nga qyteti i Elbasanit. Për rreth dy muaj të dyshuarit janë mbajtur në vëzhgim dhe janë përgjuar derisa u kapën kur po shkëmbenin drogën me paratë. ar.ba