Defekt në stacion, qyteti pa ujë
SHKODER - Një defekt i rëndë në linjën e tensionit të lartë të energjisë elektrike ka lënë pa ujë rreth 120 mijë banorë të qytetit të Shkodrës. Situata bëhet akoma më e ndërlikuar, pasi mësohet se për shkak të kohës së keqe me shira dhe me lagështi është tejet e vështirë për të gjetur defektin. Sipas specialistëve të OSSH-së së Shkodrës, mësohet se defekti u shënua në linjën 20 kv të kabllit, që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit në Dobraç ka sjellë këtë mungesë të ujit të pijshëm. Pothuajse të gjithë drejtuesit e KESH-it janë vënë në lëvizje për të gjetur defektin me qëllim riparimin dhe fillimin e furnizimit me ujë të qytetit. Drejtori i Ujësjellësit në Shkodër, Engjëll Gjondrekaj shprehet se defekti ka të bëjë me një plasje të kabllit nëntokësor, i gjatë rreth 4 km dhe duhet kontrolluar me pajisje speciale pa hapur tokën me qëllim gjetjen e vendit ku ndodhet defekti e më pas të ndërhyhet. Defekti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, por qyteti ka pasur edhe për pak orë, pasi është furnizuar nga rezervuari i Tepes. Por, më vonë dhe ai është ndërprerë, pasi nuk ka pasur mundësi që të përballojë të gjithë kërkesën e qytetit. Kjo situatë po ndodh në ditët festash, kur besimtarët ortodoksë kanë festuar Shën Kollin, ndërsa sot dhe nesër festojnë besimtarët myslimanë Kurban Bajramin. Nga ana tjetër, Drejtoria e Shëndetit Publik u ka bërë thirrje banorëve që të jenë të kujdesshëm me ujin, sidomos kur e sigurojnë atë nëpërmjet puseve të pakontrolluar prej një kohe të gjatë. r.d.